Site icon Prishtinapress

Kurti paralajmëron lehtësim të masave pas rënies së numrit të personave të prekur me COVID-19

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas 50 dite nga rasti i parë me COVID-19, situata në Kosovë është normalizuar.

Kurti për këtë ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë në dispozicion për të menaxhuar situatën, përfshirë mjekët, infermierët, policët etj.

“Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë. Duke ju falënderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit”, shkruan Kurti.

Kryeministri në detyrë ka paralajmëruar se do të fillohet në lehtësimin gradual të masave në fuqi.

“Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.

Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë”, ka shkruar Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version