Site icon Prishtinapress

Kurti: Nuk presim dobi as drejtësi nga delegacioni që e la Kosovën në mjerim për të vrapuar pas Vuçiqit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nga delegacioni i Republikës së Kosovës i cili tashmë ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet as drejtësi e as dobi, pasi e kanë lënë vendin në mjerim në kohën e pandemisë.

Kurti gjatë konferencës për medie tha se ky delegacion, të cilin ai e quajti enorm, nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën.

“Nuk ka udhëheqje e marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve. Ne nuk presim as dobi e as drejtësi nga një delegacion që e la Kosovën si mos më keq në kohën e pandemisë e në mjerim, për vrapuar pas Vuçiqit për njohje të Zajednicës. Delegacioni nga Kosova siç e kemi parë është i çorientuar, paralelisht deklarojnë katër gjëra të ndryshme, në mos edhe kontradiktore”, tha Kurti.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike, pa qenë edhe politike, duke theksuar se negociatat do të mbahen në prezencën e këshilltarit për siguri, e jo të një këshilltari për ekonomi.

“U tha që marrëveshja do të jetë vetëm ekonomike. Mirëpo, nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike që nuk është edhe politike. Që nga statusi i palëve që nënshkruajnë marrëveshjen, te përmbajtja e marrëveshjeve, karakteri politik është i pashmangshëm. Këto negociata që janë paralajmëruar do të mbahen në prezencë të këshilltarit për siguri e jo në prezencë të këshilltarëve për ekonomi. Për këto negociata nuk ka transparencë, nuk dihen agjenda e formati, nuk dihet përmbajtja e qëllimi”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, pala kosovare nuk ka legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as përgatitje për këto negociata.

“Delegacioni nga Kosova nuk ka platformë të diskutuar e të aprovuar në Kuvendin e Republikës. Këta të delegacionit nuk ke as sesi i quan tradhtar në të ardhmen. Zotëri Hoti, përkatësisht kryeministri Koti mund t’i tradhtojë vetëm ata 25 mijë votues të tij. Delegacioni nga Kosova i përbërë nga politikan e gazetar, duke i shpallur ndërmjetësit dashuri të njëanshme dhe besim apsolut, ja uli vetes pozicionin para fillimit të bisedimeve. Emisari Grenell tash konsideron që palën kosovare e ka, ndërsa duhet të ja shuaj pakënaqësinë e ankesat e kërkesat veç  palës serbe”, tha kreu i LVV-së.

Kurti u shpreh se “Edhe mbledhjet e kryesisë të partive politike, kanë rend dite që dihen përpara, se lëre më marrëveshjet ndërkombëtare. Delegacioni shkoi tri ditë para se të ishte takimi. Ky është një turizëm qeveritar. Delegacioni është enorm dhe shumëfish më i madh sesa ai i Serbisë”.

Exit mobile version