Site icon Prishtinapress

Kurti në Lezhë për bashkimin kombëtar: Na e ndalon kushtetuta, nuk e ndryshojmë atë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është parë sot në Lezhë në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës bashkë me përfaqësuesit e Shkupit, Preshevës e Tuzit, raporton Gazeta Express

Kreu i LVV-së është parë sot në Lezhë bashkë me Ilaz Shehun që është kandidat për deputet nga Vetëvendosje në Shqipëri, Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shaip Kamberin deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetarin e komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Kurti ka folur para gazetarëve duke thënë se në këtë vend është origjina e bashkimit shqiptar.

“Jemi në këtë vend ku u mblodh Kuvendi I Lezhës e ku u varros heroi ynë kombëtar, e kemi këtu origjinën e bashkimit shqiptar. Politikëbërja duhet t’i kthehet patjetër Lezhës e besëlidhjes, në mënyrë që të dalim nga vështirësitë që i kanë shqiptarët kudo. Por, edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë që nuk e lënë asnjëri mbrapa”, ka thënë ai.

Lideri i LVV-së ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendohen drejt afrimit.

“Pa dyshim që Shqipëria e Kosova si shtete si institucione duhet të bashkërendohen drejt afrimit, integrimit e bashkimit e do të thosha mbi të gjitha në fusha kryesore, në siguri, në energji dhe burime natyrore dhe politikës së jashtme”, tha tutje Kurti, teksa është pyetur nga mediat edhe për cështjen e bashkimit kombëtar.

“Fatkeqësisht kushtetua e Kosovës e ka një kundërthënie, neni 1.1 thotë se Kosova është shtet I pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë ai./GazetaExpress/

Exit mobile version