Site icon Prishtinapress

Kurti: Jam i gatshëm për takime me LDK-në, nuk mund të kthehemi mbrapa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ka folur edhe për bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Kurti ka thënë se shpreson që të takohen sa më parë me LDK-në për t’i finalizuar takimet me një marrëveshje për koalicion.

“Unë besoj që qytetarët e Republikës tash i duan ministrat, e jo vetëm se cila parti çfarë mori e çfarë nuk mori. Besoj që do të takohemi dhe të fillojmë fazën e re të përmbylljes së këtyre takimeve dhe ta finalizojmë me një marrëveshje për koalicion”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se për mua takim do të kishim qysh dje, pardje edhe sot kurdo.

“Unë kam qenë iniciatorë i takimeve të shpeshta sepse nuk bëhet marrëveshja shpejt pa takime të shpeshta…Unë po e shprehi vullnetin tim që të ecim përpara shpejtë sepse nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Kurti, i cili ka shtuar se pas datës 26 dhjetor ka qenë dëm që nuk janë takuar.

Kurti ka shtuar se ai do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

“Nëse zvarrisim formimin e qeverisë kjo nuk është mirë, megjithatë unë do të jem kryeministër i ardhshëm dhe kjo është kosto politike për mua ndërkaq zvarritja e konstitutimit të Kuvendit është kosto për shtetin. Nuk mund të kthehemi mbrapsht para 26 dhjetorit e as para 6 tetorit, koha kalon…Kuvendi është konstituuar nuk kemi pas zvarritje kemi kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, dhe tash unë mendoj se duhet të bëjmë hapa para e jo prapa”, ka thënë Kurti.
Exit mobile version