Site icon Prishtinapress

Kurti falënderon deputetët për miratimin e buxhetit dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka falënderuar deputetët për miratimin e buxhetit dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qëndrimi i deputeteve për mbi dhjetë orë për ta miratuar buxhetin e vitit 2020 është dëshmi për ta përballur situatën nga rreziku u Coronavirusit.

“Qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë”, ka shkruar Kurti.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diele, me 63 vota për, asnjë kundër dhe abstenim, deputetët në Kuvendin e Kosovës kanë miratuar buxhetin për vitin 2020.

Ky miratim vjen, vetëm pakë orë kur Projektligji u votua për lexim të parë pas një seance të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me Coronavirus në vend.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 pritet të jetë 2 miliardë e 357 milionë euro.

Shkrimi i plotë i Kurtit

Dy falënderime

Qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë. I falënderoj deputetët e LDK-së, ata të pakicave dhe të VETËVENDOSJE!-s, për përkushtimin dhe mbështetjen. Në veçanti, i falënderoj deputetët me probleme shëndetësore, prej z. Fetah Rudit në karrocë invalidore e deri te z. Hatim Baxhaku i operuar në zemër para vetëm një muaji e gjysmë.

Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm. Nga kontrolli mjekësor në hyrje të sallës gjer te ndjekja e përpiktë e hollësive procedurale. Ishte kjo një ditë e gjatë me sukses të plotë. Miratimi i buxhetit vjetor është ndër hapat më të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale, e për të zbatuar programin e qeverisë së ndryshimit. Të faleminderit Kryeparlamentare. /Telegrafi/

Exit mobile version