Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se Kosova duhet të ketë politikë unike në arenën ndërkombëtare.
Ai u shpreh se do të koordinohet me presidentin aktual rreth politikës së jashtme.
Kurti theksoi se është urgjente që të Kosova të ketë politikë unike në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër i ri duam dhe duhet të koordinohemi edhe me presidentin aktual të Republikës në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kokafoni që me siguri që bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit. Mendoj që kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”, tha Kurti.
Vitet e fundit, rolin udhëheqës në dialogun me Serbinë, e ka pasur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces.
Kurti ka deklaruar se nuk beson që mund të ketë një ekip “ku është edhe kryeministri, edhe presidenti”, pasi që sipas tij, nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë.