6.2 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kurti do t’i përgjigjet kërkesës së Thaçit për mandatarin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, do t’i përgjigjet “me kohë” presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me kërkesën e tij për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri Kurti do t’u përgjigjet letrave (kërkesave) të presidentit Thaçi.

Kërkesa e Thaçit, për caktimin e mandatarit për qeverinë e re bazohet në votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, më 25 mars në kuvend, prej kur kjo qeveri konsiderohet se është në dorëheqje, përkatësisht në detyrë.

Presidenti i Kosovës, zhvilloi javën e kaluar takime të ndara me liderët e të gjitha partive politike, por duke u bazuar në Kushtetutë dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, mundësinë e caktimit të mandatarit për kryeministër ia ofroi Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

Kryeziu tha se për momentin, prioritet i qeverisë dhe kryeministrit Kurti mbetet angazhimi në përballjen me pandeminë e koronavirusit.

“Duke marrë parasysh rëndësinë jetike të betejës kundër virusit COVID-19, prioriteti i parë i kryeministrit dhe i gjithë qeverisë është i përqendruar në menaxhimin e kësaj pandemie, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përballë kësaj sfide, çdo çështje politike apo partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, theksoi Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.

Por, edhe Thaçi, theksoi Kryeziu, do të ketë përgjigjen e Kurtit se si e sheh lideri i Vetëvendosjes zgjidhjen në lidhje me situatën e krijuar pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë në kuvend.

“Përkundër të gjithave, zoti Kurti, në cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, letrat e dërguara nga presidenti, si dhe për t’iu kthyer përgjigje atyre”, tha Kryeziu.

Në komunikimin e javës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Kurtit, ky i fundit i kishte kërkuar presidentit që të marrë parasysh vetëm një opsion, atë të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, por pasi që të ketë përfunduar e gjithë situata e krijuar me koronavirusin e ri.

Kushtetuta – interpretimet mes zgjedhjeve dhe qeverisë së re

Në nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se nëse mocioni i mosbesimit votohet për qeverinë në tërësi, qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse neni 82 e përcakton se kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë.

Por, neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.

Ky përkufizim, besohet se i jep të drejtën, të paktën herën e parë Vetëvendosjes si parti fituese që të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Megjithatë, Kurti, insiston që zgjidhja të gjendet tek opsioni i parë, ai i shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, ai pretendon që edhe opsioni i shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, duhet të pres përmbylljen e fazës së pandeminë së shpallur për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Rënia e Qeverisë së Kosovës në kohën e COVID-19, është përcjellë me reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Si emërues i përbashkët i thirrjeve të tyre ishte që liderët politikë në Prishtinë të gjejnë zgjidhje kushtetuese.

Qeveria pa Vetëvendosjen?

Mënjanimi i opsionit të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve do të sillte si opsion krijimin e një qeverie të re, por me gjasë, pa partinë fituese të zgjedhjeve, e cila vet është deklaruar se nuk e sheh si opsion përfshirjen në kalkulimet e formimit të qeverisë pa zgjedhje.

Në kalkulimet të cilat mund ta nxirrnin eventualisht jashtë “lojës” Kurtin dhe Vetëvendosjen, parashihet që presidenti pas ofrimit të mundësisë për formimin e qeverisë Vetëvendosjes si parti fituese e zgjedhjeve, nëse kjo e fundit dështon ta formojë qeverinë e re, herën e dytë të mbështetet në diskreskrecionin e tij, që nënkupton se ai do të sigurohej nga partitë tjera se kanë siguruar të paktën 61 vota të deputetëve në kuvend për formimin e qeverisë së re.

Bazuar në praktikat e mëhershme kushtetuese pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010 dhe 2017, pas votimin të mocionit, në të dyja rastet, kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje. Po ashtu, edhe pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, më 2019, kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje.

Ndërkaq, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, praktika ka shënuar raste kur kryeministri ka rënë nga pozita, por ai është zëvendësuar me një tjetër dhe ka vazhduar qeverisja e njëjtë. Një rast i tillë ishte ai me dorëheqjen e Ramush Haradinajt pas aktakuzës që i kishte ngritur Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-territorin e Jugosllavisë, kur ai ishte pasuar nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Albert Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike dhe procedurave kushtetuese-ligjore, kishte shkruar se thirrja në precedent për shpërndarje të kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, do të kishte kuptim sikur Kushtetuta nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste.

“Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep dy opsione:- nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re; ose shpërndarjen e kuvendit dhe opsionin e dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo, nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Mospajtimet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit më pas kishte iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, i cili u votua në kuvend më 25 mars, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim. /rel/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles