Site icon Prishtinapress

Kundërshtohet mundësia që KPM-ja të mbikqyrë përmbajtjen e mediave online

Deklarata e kryetarit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Xhevat Latifi rreth një ligji të ri për këtë Komision dhe mundësisë së përfshirjes së mediave online që ofrojnë produkte audio-vizuale, në kuadër të këtij institucioni, ka ngjallur reagime mospajtuese të përfaqësueseve të mediave në Kosovë dhe institucioneve të tjera që merren me fushën.Të martën në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie, Latifi ka deklaruar se duhet një ligj të ri i KPM-së i cili pos tjerash, duhet të përfshijë përbrenda edhe portalet me produkte audio-vizuele që të jenë në kuadër të këtij institucioni, duke shtuar se janë dëshmitarë “të një gjendje toksike të fjalorit të mediave në Kosovë”.

“Kur e përmendim çështjen e ligjit të ri të KPM-së, pikërisht është pjesa audio-vizuele e portaleve të futet në kuadër të trajtimit të KPM-së”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate të tij, KALLXO.com ka marrë një qëndrim nga Latifi, për atë se ideja e kujt është që portalet që kanë produkte audio-vizuele të hyjnë në kuadër të KPM-së.

Ai ka thënë se para Komisionit parlamentar, ka paraqitur kërkesat e shoqërisë e jo qëndrimin e tij e as të KPM-së.

“Unë kam thënë që në ligjin e ri do të ishte mirë që të përfshihen edhe portalet që merren me produkte audio-vizuele. Në ligjin e ri, jo tash. Jo të gjitha portalet, por ato që merren me pjesën audio-vizuele. Është vetëm kërkesë. Ne veç po e matim opinionin, shqetësimet e njerëzve. Nuk mund të themi se është formësuar kjo ide. Unë e kam paraqitur mendimin si shqetësim të shoqërisë, nuk mund të themi se është mendim i imi apo qëndrim i KPM-së, por si shqetësim i shoqërisë tonë”, ka theksuar Latifi.

Mundësinë e përfshirjes së pjesës audio-vizuele të mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, po e kundërshtojnë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), drejtuesit e mediave si dhe njohësit e fushës së mediave në Kosovë.

KMShK-ja dhe AGK-ja kundërshtojnë, KPM-ja arsyetohet 

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se iniciativa e tillë bie ndesh me lirinë e shprehjes.

“KMShK është kundër çdo përpjekjeje për rregullimin qoftë edhe të pjesshëm të përmbajtjeve online. Mediat online duhet të mbeten pjesë e vetërregullimit dhe përpjekjet e kujdoqoftë për të ndërmarrë veprime që bien ndesh me lirinë e shprehjes, janë të papranueshme dhe nuk u ndihmojnë mediave dhe gazetarëve”, tha ai.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në një reagim të përbashkët me KMShK-në ka kundërshtuar idenë e lansuar dje.

“KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdoqoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore”, thuhet në reagim.

Pas raportimit të KALLXO.com të martën në lidhje me deklaratën e kryetarit të KPM-së, Xhevat Latifi, KPM-ja të mërkurën doli me një sqarim për opinionin publik.

Sipas tyre, nuk është kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të përfshihet çështja e rregullimit mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, siç është paraqitur në opinion përmes disa portaleve.

“KPM-ja ka kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të parashihen kompetenca sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në Direktivën 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audio-Vizuele (Audiovisual Media Services Directive)”, thuhet mes tjerash në këtë publikim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë në KPM, për të kuptuar më specifikisht se për cilat media online bëhet fjalë, cilat janë shërbimet audio-vizuele të cilat duhet të përfshihen, dhe cilat nuk duhet të përfshihen në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në si dhe çfarë kompetenca po kërkon ky Komision.

Arsim Dreshaj, zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në KPM, ka kërkuar t’i referohemi Direktivës 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audiovizuale, pa dhënë sqarime shtesë.

Exit mobile version