Site icon Prishtinapress

Kundërshtohet ideja e futjes së Ushtrisë në pako me Asociacionin

Pas kthimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, është kundërshtuar idejaa e kushtëzimit të formimit të Ushtrisë së Kosovës me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ideja e futjes së Ushtrisë dhe Asociacionit në një pako është përmendur edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Formimin e Asociacionit më 25 gusht 2015.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit ka thënë se formimi i Ushtrisë nuk mund të ndërlidhet me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Nuk janë çështje që ndërlidhen, ndërsa Lista Serbe është kthyer pa kushte”, ka thënë Gecaj.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë se Lista Serbe vepron sipas interesave të Serbisë, prandaj ai ka thënë se ky subjekt nuk duhet të lejohet të funksionoj në Kosovë.

“Deputetët janë përfaqësues të popullit, kurse Lista Serbe është përfaqësuese e Qeverisë së Serbisë, e cila po angazhohet për realizimin e projekteve të Serbisë që kanë për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Vetëm në Kosovë mund të lejohet funksioni i një subjekti që vepron kundër shtetit”, ka deklaruar Kurteshi, në një prononcim për lajmi.net

Më tej, ai ka thënë se Vetëvendosje nuk do të pranoj asnjëherë që formimi i Ushtrisë të Kushtëzohet me çështje të tilla si formimi i Asociacionit.

“Për ne Asociacioni që e ka shkel Kushtetutën në 23 nene është i vdekur. Nëse serbët duan Asociacionin, le ta marrin Statutin e Asociacionin e Kosovës. Përndryshe veprimet tjera nuk do të përkrahen nga Lëvizje Vetëvendosje”, është shprehur Kurteshi.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë për lajmi.net se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në veprimet e Listës Serbe.

“Duhet shikuar prapavijën e çdo veprimi të Listë Serbe sepse janë nën dirigjimin e Beogradit. Ndërsa Qeveria e Kosovës duke e lejuar që ky subjekt të veproj në shërbim të Serbisë po bënë shkelje. Duhet të luftohen veprimet e këtij subjekti që janë në dëm të vendit. Ata nuk duhet të lejohen që të bëhen vegël e Qeverisë serbe”, ka potencuar Isufi.

Në fund Isufi ka thënë se duhet të hiqet logjika e kushtëzimeve në qeverisje.

“Duhet të hiqet logjika e kushtëzimeve. Qeveria nuk duhet të  lejoj që për asnjë çështje të dëmtohet interesi i Kosovës në një çështje tjetër, pavarësisht se prej kujt vjen”, ka theksuar Isufi.

Exit mobile version