Mungesa e një qendre stërvitore, apo një stadiumi tjetër alternativ ka bërë që Përfaqësuesja e Gjibraltarit ti zhvillojë stërvitjet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ të Drenasit.
Me kushte të vështira infrastrukturore po përballen edhe ekipet zingjirë të Përfaqësueses së Kosovës. Ekipi U21 është detyruar që gjithashtu stërvitjet ti zhvillojë në Drenas.
Krejt kjo ndodh, pasi që stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet është i mbi ngarkuar. Për shkak të kësaj ngarkese janë shtyrë edhe ndeshjet kampionale të FC Prishtinës në Superligën e Kosovës.
Kjo gjendje mund të eskalojë edhe më shumë në muajin mars të vitit të ardhshëm edhe kur do të bëhet aplikimi për licencimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në UEFA dhe gjasat që kjo të mos ndodh tashmë janë reale.
Zëvendës sekretari në Federatën e Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti ka konfirmuar problemet infrastrukturore me të cilat po ballafaqohet FFK, teksa ka përgatitur gjithë opinionin që ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës vitin tjetër mund edhe të mos luhen në Kosovë.
“Në mars do të aplikojmë për klubet dhe zingjirin e kombëtareve. Duhet ta dijnë të gjithë që ne e kemi vetëm stadiumin “Fadil Vokrri”.
Mund të gjendemi në një situatë të tillë, në një orar të ngjeshur mes gjithë këtyre ekipeve dhe duhet të kërkojmë ndonjë terren jashtë vendit. Duhet ta dijë i gjithë opinioni që Kosova mund t’i luajë ndeshjet sërish jashtë vendit, nëse vitin e ardhshëm nuk licencohet “Fadil Vokrri””, ka deklaruar Ahmeti.
Ai po ashtu ka përmendur edhe disa opsione ku mund ti zhvillojë ndeshjet Kosova nëse nuk licencohet stadiumi ‘Fadil Vokrri’.
“Mund të jetë Shkodra, Shkupi, apo edhe në Malin e Zi, nuk i dihet”, potencoi ndër të tjerash.
Ahmeti më tej ka fajsuar institucionet qendrore për neglizhencën sa i përket çështjes infrastrukturore, teksa ka potencuar edhe njëherë vështirësitë që do ti kenë për ta licencuar stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
“Institucionet tona kanë qenë neglizhente ndaj çështjes së stadiumit. Është dashur të jenë më afër neve dhe ta dëgjojnë agjendën tonë, ti përputhim agjendat dhe në bazë të agjendave ti bëjnë planifikimet e tyre.
Ne duhet që të jemi në koordinim me institucionet tona që të marrim lejet/licencat e FIFA-s për objektet sportive. Vitin tjetër tri ekipe nga Superliga dalin në Evropë. Kemi Kosovën A, Kosovën U21 dhe ekipin A të femrave. Të gjitha këto të luajnë në vetëm një stadium është e pamundur”, theksoi Ahmeti.
Këto prononcime Ahmeti i bëri teksa ishte i ftuar në programin e mëngjesit në ‘Radio Televizionin Publik të Kosovës’