Site icon Prishtinapress

Kryetarët e komunave, thirrje qytetarëve: Rreziku nuk ka kaluar, kujdes edhe pas lehtësimit të masave

Me lehtësimin e masave, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili filloj të zbatohet të hënën e 4 majit, edhe qytetarët filluan të ndjehen më të relaksuar, duke dalë në rrugë, me raste madje edhe pa dorëza e maska mbrojtëse.

Kryesisht në Prishtinë, por edhe në Gjakovë u pa një numër  i madh qytetarësh të cilët dilnin nëpër rrugë, teksa nxiti edhe reagim e shqetësim tek institucionet që po përpiqen ta menaxhojnë sa më mirë gjendjen me pandeminë COVID-19.

Shqetësim për këtë sjellje të qytetarëve, patën kryetarët e disa komunave, e po ashtu edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook reagoi duke lutur qytetarët për kujdes më të shtuar, pasi masat nuk janë larguar dhe qarkullimi kaq i madh mund të rezultojë me një shpërthim të valës së re të infeksionit.

“Qarkullim shumë i madh i kerreve dhe njerëzve në qytet. Përveç që masat nuk janë largu, do të ishte shumë keq në qoftë se këto ditë ndodh ndonjë shpërthim i ndonjë vale të re të infeksionit. Ju lutem të keni kujdes. Ju lutem mos dilni pa nevojë”, shkroi Ahmeti.

Kurse, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se dalja e madhe e qytetarëve i rrit gjasat për infektime të reja.

Gjini përmes një postimi iu drejtua qytetarëve, duke u thënë se do të kërkoj nga policia që të ndërmarr masat e nevojshme kur nuk përfillen rregullat e vendosura kundër pandemisë.

“Lehtësimi i masave kufizuese si pasojë e coronavirusit ka ndodhur për shkak se numri i rasteve ka filluar të bie. Por kjo nuk do të thotë se rastet e reja nuk do të shfaqen prapë. Dhe nëse shfaqen, atëherë do të duhet të mbyllemi edhe për javë të tëra. Dalja juaj në mënyrën si po ndodh sonte i rrit gjasat për infektime të reja dhe si rrjedhojë për izolim edhe më të gjatë. Për këtë arsye unë do të kërkoj nga policia që të ndërmerr masa. Nëse doni ta kalojmë këtë pandemi më shpejtë përfillni rregullat”, shkruan Gjini.

Shqetësim për fluksin e madh të qytetarëve të parë nëpër rrugët e qytetit ka ngritur edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se në këtë qytet ka ende kontakte të të infektuarve të cilat duhet të testohen.

Haskuka theksoi se distancimi fizik dhe maskat e dorëzat janë të nevojshme, duke bërë të ditur po ashtu se masat për lëvizje nuk janë hequr ende.

“Ashtu siç ka njoftuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot vërehet një fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë, sikurse edhe në Prizren. Kjo nuk është mirë, rreziku akoma nuk ka kaluar. Dje në Prizren kishim 3 raste të reja me COVID-19. Kemi ende kontakte të të infektuarve që duhet të testohen. Lehtësimi i lëvizjes dhe i punës së bizneseve nuk do të thotë që kemi kaluar gjendjen emergjente shëndetësore. Pra nuk janë hequr masat për lëvizjen brenda komunës sonë. Institucionet e rendit dhe inspektoratet janë në detyrë, por ato nuk mund të jenë gjithkah dhe gjithë kohën. Andaj, t’i ndihmojmë ata që të kryejnë punën e tyre. T’i respektojmë masat! Dalja vetëm sipas orarit të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Distancim fizik dhe mbajtje e maskave në vende publike”, shkruan Haskuka.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, reagoi duke thënë se sjellja e tillë e qytetarëve është e rrezikshme, dhe kërkoi nga institucionet e inspektoratet të angazhohen më shumë ditëve në vijim.

IKSHPK theksoi se rreziku i përhapjes së virusit ekziston akoma dhe është e domosdoshme distanca fizike dhe përdorimi i maskave e dorëzave.

“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, shkruan IKSHPK.

Exit mobile version