Site icon Prishtinapress

Kryeministri Mustafa paraqitet sot në dy interpelanca para Kuvendit

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mban mbledhjen plenare të radhës, në të cilën do të mbahen dy interpelanca, një debat parlamentar, do të shqyrtohen disa projektligje dhe do të zgjedhen anëtarët e disa institucioneve të pavarura.

Në mbledhjen e paraparë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të votojë propozim-rezolutën në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë dhe propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pika këto për të cilat debati është shterur në mbledhjen e kaluar të Kuvendit.

Më pas, do të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Mbledhja do të vazhdojë me dy interpelanca të kryeministrit Isa Mustafa: njëra, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, i mbështetur edhe nga 14 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, dhe tjetra e kërkuar nga deputeti Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 9 deputetë nënshkrues, në lidhje me përgjegjësinë mbi Ligjin e sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës.

Më pas, deputetët do të debatojnë lidhur me Forcën e Armatosur të Kosovës, sipas kërkesës së deputetit Daut Haradinaj, mbështetur nga deputetët nënshkrues.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e disa projektligjeve. Kështu, për herë të parë pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Projektligji për ndërmjetësim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-214.

Më pas do të shqyrtohet Agjenda për Reforma Evropiane (ARE) dhe Raporti i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Deputetët pritet të zgjedhin një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera, si dhe një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Po ashtu, pritet votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Lidhur me Projektligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, hartuar nga deputetja Safete Hadërgjonaj, e mbështetur edhe nga 25 deputetë tjerë nënshkrues, Kryesia vendosi që t’u shpërndahet deputetëve dhe të ngarkohet komisioni përkatës funksional për shqyrtimin e tij.

Për shkak numrit të madh të pikave të rendit të ditës, mbledhja e sotme pritet të vazhdojë të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme.

Exit mobile version