6.8 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Kryeministri djersitet nga pyetjet e deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa si rrallë herë sot është përballur me pyetjet e deputetëve. Kreu i ekzekutivit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Vetëvendosjes, Ismail Kurteshit, rreth vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, tha se janë marrë veprime konkrete rreth vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, ku Kosova do të detyrohet të paguaj dhjetëra miliona euro.

Deputeti Kurteshi e quajti të papërgjegjshme qeverinë aktuale, meqë nga vendimet e papërgjegjshme dhe korruptuese, buxheti i shtetit tani do të dëmtohet nga vendimet e tribunalit ndërkombëtarë të Arbitrazhit me mbi 35 milionë euro.

“Si pasoj e vendimeve të papërgjegjshme të kësaj qeverie, buxheti i Kosovës në vendimin e tribunalit të Arbitrazhit është dëmtuar me mbi 35 milionë euro. Telekomi i Kosovës duhet t’i paguaj rreth 30 milionë euro “Devolli Group”, ndërsa, kompanisë austriake në lidhje me tenderin për pasaporta të MPB-së nga buxheti i Kosovës duhet t’i 5.36 milionë euro”, tha Kurteshi.

Por kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ka iniciuar procedura adekuate për rastet e përmendura në prokurorinë e shtetit pas vendimit të dytë nga ana e gjykatës në Londër, me të cilin e lë në fuqi vendimin e parë të gjykatës së Arbitrazhit që detyron Telekomin e Kosovës t’ia paguaj Devolli Group rreth 30 milionë euro për shkëputjen e njëanshme të kontratës me Dardafon-in.

“Sipas saj mbetet në fuqi vendimi paraprak që e ngarkon Telekomin e Kosovës që ta paguaj rreth 30 milionë euro në llogari të Dardafon-it, që edhe për mua është një vendim tepër i rënd dhe që kërkon përgjegjësi të veçantë pa marrë parasysh se ato mjete a do të paguhen nga Telekomi i Kosovës ose nga buxheti sepse telekomi është në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ne jemi aksionar i Telekomit të Kosovës, prandaj po humb prona publike për 30 milionë euro, dhe po ashtu jam informuar që është ngritur padi për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit në gjykatën themelore në Prishtinë. Është iniciuar propozimi për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë tek prokurori i shtetit. Kjo iniciativë në ndërkohë është mbështetur nga ana e prokurorit të shtetit dhe janë iniciuar veprimet adekuate të rastit”, tha Mustafa.

E kur kryeministri Mustafa u pyet se nga cili vit ka filluar punën komisioni qeveritar për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi, Mustafa tha se kur ka ardhur në krye të ekzekutivit, kjo çështje ka qenë thuajse e kryer.

“Komisioni ka filluar punën në mars të vitit 2012, komisioni për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ka punuar nga marsi i vitit 2012 deri në vitin 2015. Mund të them se kur kam ardhur në Qeveri e kemi gjetur punën gati krejtësisht të përfunduar, janë dhënë edhe tre raporte ose informatë nga komisioni lidhur me gjendjen ku ata janë dhe informata përfundimtare. Kam kërkuar nga komisioni që të gjitha ato t’i sqarojnë me gjithë banorët dhe me katër komunat të cilat kufizohen me Malin e Zi dhe mos të na mbetet asnjë çështje e pasqaruar dhe në qershor të vitit 2015, komisioni ka deklaruar se ka përfunduar tërësisht punën”, tha Mustafa.

Por deputetja Kadrijaj pati pyetje shtesë për kryeministrin, duke kërkuar nga ai të dinë nëse Murat Meha është i sëmurë psikik.

“Sa i përket atlaseve, unë nuk jam redaktor atlaseve dhe nuk merrem me to. Ata që i kanë hartuar ato publikime ata i kanë përgjegjësitë për to, ashtu siç e kanë përgjegjësinë për shënim e vijës kufitare. Ndërsa, sa i përket deklaratës për të sëmurë psikik, kjo është deklaratë e jotja e imja”, deklaroi ai.

Duke folur për aferën me pasaporta, ku Qeveria e Kosovës është detyruar që të paguaj mbi 5 milionë euro, pasi rastin e kishte fituar kompania austriake, e cila kishte paditur MPB-në se paratë nuk ishin transferuar në llogarinë e saj, kreu i ekzekutivit theksoi se pavarësisht dënimit të tetë personave, dëmi që i është shkaktuar buxhetit nuk kompensohet.

“Sa i përket rastit të pasaportave ku buxheti drejtpërdrejtë dëmtohet me 5 milionë euro, ju e dini që është një aktgjykim i gjykatës për dënimin e tetë personave. Personat janë publikisht të cilët janë ata të dënuar, Natali Veliaj, Fisnik Blakaj, Betim Blakaj, Ergyn Dogani, Ymer Fazlija, Nazmi Thaçi, Jakup Blakqori, Sefedin Shala, e tjera. Mirëpo dënimi i këtyre nuk e kompenson dëmin që iu ka krijuar buxhetit të Kosovës sepse është fjala për një dëm mbi 5 milionë euro, i cili duhet t’i paguhet kompanisë së shtypjes së pasaportave të Austrisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se secili duhet të përgjigjet për aferat dhe skandalet e veta, sikurse edhe kjo Qeveri që do të përgjigjet për secilin skandal.

“Aferat nuk janë çështje e trashëgimisë, sepse çdo njeri përgjigjet për veprimet dhe aferat e veta, edhe kjo Qeveri do të përgjigjet për të gjitha përgjegjësitë ligjore që ka për paranë publike. Nëse ka në këtë qeveri, individ që janë abuzues të parasë publike është mirë të na informoni në mënyrë që të merren masat”, u shpreh ai.

Deputetët pyetën kryeministrin edhe rreth pagave në Kosovë. Kreu i qeverisë tha se nuk kanë përgjegjësi për pagat në kompani publike, pasi ato janë të pavarura. Megjithatë, ai pranoi se një punonjës mesatar në kompani publike ka pagën sa të një ministri, apo një drejt ka pagën shumë fish me të madhe se sa të vet kryeministrit, por për pagat, Mustafa tha se vendos Kuvendi, e jo Qeveria.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i racionalizojmë këto diferenca që t’i sjellim në përmasa që të jenë të arsyeshme por nuk mund të them se Qeveria mund t’i bëjë vet ato sepse nuk vendosim për sektorin privat, për kompanitë publike për arsye se ato i caktojnë vet, në qoftë se ky Kuvend nuk sjell ligj, a unë jam për atë që Kuvendi të sjell ligj me të cilin ne do t’i kufizojmë edhe pagat tek kompanitë publike dhe të agjenionet e pavarura sepse është e pa arsyeshme të kemi dallime të tilla….Sa i përket pagës së deputetëve dhe mënyrë së si ju e prezantoni atë me deputetët zviceran ose si deputetët e tjerë, gjithë ne jemi këtu, ju vendosi për pagat e juaja me shumicën e votave, nuk vendos qeveria as kryeministri për pagat e deputetëve, ne do të ekzekutojmë si Qeveri çdo vendim që Kuvendi i Kosovës e merr në këtë drejtim”, thekoi kreu i ekzekutivit.

Pyetje pati edhe për ministrat e Mustafës, por disa u përgjigjen e disa të tjerë nuk ishin të pranishëm për t’iu përgjigjur. Një gjë të tillë bëri edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për të cilën deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj pati pyetje për të.

Deputetja Kadrijaj duke pyetur ministren në mungesë, tha se ka ankesa nga të burgosurit që nuk po trajtohen ashtu siç e meritojnë të trajtohen, pasi nuk ka trajtim të duhur shëndetësor.

“Rastin që dua ta veçoj në këtë rast është rasti i ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish komandantit të TMK-së dhe ish ambasadorit në Tiranë Sylejman Selimi, i cili këto ditë për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore nuk po lejohet të marr tretman shëndetësor. Kjo nuk është në rregull sepse edhe pse janë të burgosur duhet të respektohen të drejtat e të burgosurve dhe të drejtat e njeriut”, theksoi Kadrijaj.

Pati edhe pyetje tjera nga deputetët, disa prej të cilave nuk morën përgjigje pasi nuk ishin të pranishëm ministrat përkatës. Pas pauzës, seanca nuk vazhdoj pasi nuk pati kuorum, meqë në sall ishin vetëm 37 deputetë.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles