Site icon Prishtinapress

Kosova mund të përfitojë nga kryesimi i Presidencës së BE-së nga Bullgaria

Profesori i Shkencave politike në Universitetin e Sofjes, Anton Pançev, tha se kryesimi i Presidencës së BE-së nga ana e Bullgarisë do të jetë një ndihmesë për Ballkanin dhe për Kosovën.

Pançev në një intervistë për RTKlive, deklaroi se marrëdhëniet politike ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë në nivel shumë të lartë dhe vazhdojnë të zhvillohen.

Mbështetja bullgare ndaj Pavarësisë së Kosovës është paraqitur në forma të ndryshme, përfshirë edhe me deklaratën pozitive në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës duhet të përfundojnë ose të vazhdojnë procese të rëndësishme, të cilat kanë ndikim direkt mbi zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës. Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së përkon me këtë periudhë aktive për politikën e jashtme të Kosovës dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm për ecjen e një pjese të këtyre proceseve. Për këtë arsye, Bullgaria dhe Kosova duhet ta shtyjnë edhe më shumë marrëdhëniet e tyre, të cilat, edhe pse se janë në nivel të lartë, kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si politika, ekonomia, kultura etj”, theksoi profesori Pançev.

Profesori punon si profesor asistent në Departamentin e Ballkanistikës së Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Ai është lektor i lëndëve: Gjuhë shqipe, Politikat e vendeve ballkanike.

Exit mobile version