Site icon Prishtinapress

Kosnett: Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-s dhe Mini-Shengenit

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett tha sot se mbështetja për prosperitetin e Kosovës, sundimin e ligjit dhe paqen me fqinjët, janë aspektet kryesore strategjike të vendit të tij dhe se ndihma ekonomike për Kosovën ka qenë gjithmonë e përqendruar t’i mundësojë vendit rrugën drejt së ardhmes.

Ai gjatë një takimi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, ka folur për marrëveshjen për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia në Uashington më 4 shtator, me ndërmjetësimin e palës amerikane.

Diplomati amerikan e ka quajtur të rëndësishme partneritetin e fuqishëm që shteti amerikan ka me komunitetin e biznesit në Kosovë, duke thënë se qëllimi kryesor i politikës amerikane viteve të fundit kanë qenë iniciativat ekonomike për t’iu mundësuar qytetarëve një të ardhme më të mirë.

“Është e vështirë të ndash politikën nga ekonomia, por mund të ju them se kur injorohet ekonomia dhe kur injorohen përfitimet që qytetarët e zakonshëm shohin nga iniciativat politike, është shumë e vështirë të ecësh përpara,” tha ambasadori Kosnett.

Diplomati amerikan shpjegoi se Ambasada amerikane dhe partnerët e saj në Uashington mbështesin Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes së 4 nëntorit, duke pasur parasysh se përmirësimi i jetës së qytetarëve është thelbësor për ndërtimin e ekonomisë së rajonit.

“Nëse shikoni në hartën e Ballkanit, Kosova është në mes të hartës. Fqinjët e Kosovës kanë nevojë për Kosovën po aq sa Kosova ka nevojë për fqinjët e saj, për të ndërtuar një ekonomi rajonale dhe për të ndërtuar një infrastrukturë rajonale,” tha Kosnett.

Ai ndërkaq shtoi se është e rëndësishme që Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-s dhe Mini-Shëngenit dhe të punojë me partnerët e saj rajonalë.

Ndërsa, John Jovanovic, drejtor menaxhues për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Egjeut në Korporatën Zhvillimore Financiare (DFC) tha se pjesa kryesore e objektivave të DFC në rajon është të zgjerojë mjetet financiare në dispozicion të Kosovës, në mënyrë që të fuqizojë ekonominë e saj përmes investimeve nga tregjet globale.

“Sa i përket qëllimeve tona të zhvillimit rajonal – ato përqendrohen në luftimin e ikjes së trurit, duke u ofruar të rinjve mundësi bindëse ekonomike për të qëndruar dhe për të qenë të suksesshëm në rajon. DFC gjithashtu fokusohet në krijimin e kushteve më të qëndrueshme rajonale në aspektin e energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ekonomik rajonal, i cili do të rezultojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të rajonit,” deklaroi Jovanoviq.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se marrëveshja për normalizim ekonomik do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

Ai theksoi rëndësinë e hapjes së mundësive të reja të financimit nga Korporata Financiare Zhvillimore dhe Banka EXIM për zhvillimin e infrastrukturës transportuese, lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrëset gra.

Edhe kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se implementimi i dispozitave të marrëveshjes së Uashingtonit do të ndihmojë jo vetëm në adresimin e çështjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të çështjeve tjera që ndikojnë negativisht zhvillimin ekonomik të tërë rajonit.

Exit mobile version