Korrupsioni dhe krimi i organizuar fajtorët kryesor te ngecjes së Kosovës në integrimin në BE

0
20

Politizimi i administratës publike, korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe sistemi gjyqësor jo efikas mbeten fajtorët kryesor te ngecjes së Kosovës në integrimin në BE.

Kështu u tha në publikimin e hulumtimit rajonal të D4D të quajtur “Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”.

Prezantimi i këtij hulumtimi për Kosovën është bërë nga Valëza Zogiani, hulumtuese e politikave në D4D.

Ajo tha se Kosova konsiderohet vend kandidat potencial për t’u anëtarësuar në BE dhe se nga pavarësia rruga e integrimit në BE ka qenë një prioritet i pavarur dhe i ndërlidhur i politikës së jashtme për Kosovën.

Mirëpo, ajo tha se edhe pas 12 viteve pas pavarësisë synimet e Kosovës për integrime evropiane nuk janë shumë të prekshme.

“Muajin tjetër bëhen 12 vite që Kosova ka shpallur pavarësinë dhe fatkeqësisht rezultatet e integrimeve, synimeve tona për integrime evropiane nuk janë shumë të prekshme. Fatkeqësisht administrata e politizuar, korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe sistemi gjyqësor jo funksional mbeten ndër arsyet ose faktorët kryesor që po e pengojnë Kosovën drejtë avancimit të përpjekjeve të saja për në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Të dhënat për Malin e Zi i ka prezantuar Nina Kecojeviq, hulumtuese e politikave publike në CEMI, e cila tha se elitat politike në këtë vend serish kanë vendosur interesin privat dhe partiak para atij publik.

“Elitat politike në Mal të Zi përsëri kanë vendosur interesin privat dhe partiak para atij publik dhe kanë dështuar që të arrijnë ato rezultate e parapara në fushën, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me fushën e ligjeve dhe të drejtës. Andaj një shoqëri e korruptuar dhe që nuk i pranon gjërat dhe që është ndërthurur me krimin e organizuar pengon një kontroll të përgjegjshëm dhe vendimmarrës të përgjegjshëm brenda institucioneve. Që nga themelimi Agjencia për parandalimin e korrupsionit në Mal të Zi ka tërhequr shumë vëmendje të publikut për fatkeqësisht jo në mënyrë të mirë, sic është theksuar shumë shpesh nga organizata ime dhe konfirmuar nga raportet e progresit të BE-së, në vend që të shërbejë si një shembull të shkëlqyer si një institucion i cili i ka ikur retorikës së shtetit të kapur dhe shërben si luftëtar në linja të para. Agjencia për parandalimin e korrupsionit mbetet ende të&nbsp ; kuptohet dhe shihet si një institucion të cilit i mungon pavarësia kur është puna për zgjidhjen dhe adresimin e çështjeve politike. Të gjithë keni dëgjuar për ato aferat e incizimet, pastaj aferën e zarfit e të tjera”, tha ajo.

Ndërkaq, drejtori i departamentit të koordinimit të politikave të MSA-së në Ministrinë e Integrimeve Evropiane Artan Çollaku, tha se si administratë kanë arritur të plotësojnë kushtet e MSA-së brenda disa muajve, por që sipas tij reformat e ndërmarra nuk janë të qëndrueshme.

“Krahasuar me vendet e tjera Kosova si shtet i ri e ka një administratë, ndonëse me probleme e cila konkretisht në lidhje me MSA-në ka arritur për një kohë relativisht të kënaqshme me i krye ato detyra teknike duke filluar prej liberalizimit të vizave, plotësimit të kritereve, negocimit të MSA-së, për shembull për kriteret formale si parakusht për negocimin e MSA-së i ka plotësuar shumë shpejt, brenda disa muajve. Por, nuk mjafton ajo, ato janë veç kritere formale të cilat pastaj përballen me dy probleme kryesore që e bëjnë këtë ndikimin ndërkombëtar të domosdoshëm dhe na lajnë neve si të paaftë, jo shumë të gatshëm për t’u marrë me problemet tona. E para është që reformat nuk janë shumë të qëndrueshme dhe i bëjmë disa ligjet vetëm për BE-në, dhe kur i sheh BE me u duk mirë, por BE përditë bashkëjeton me neve. Ky është problemi i parë që reformat nuk janë të qëndrueshme dhe kërkojnë vazhdimi sht një mbikëqyrje”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtor ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, tha se Kosova ka bërë progres në rrugën e saj integruese këto 10 vitet e fundit.

“Kosova ka bërë progres në rrugën e saj i integruese këto 10 vitet e fundit. Ka bërë progres sepse pas shpalljes së pavarësisë arritëm me negociua MSA, MSA ka themeluar marrëdhënie kontraktuale mes nesh dhe BE dhe le të themi ka vulosur të ardhmen tonë për anëtarësim në BE. Vini re, prej cilitdo vend, prej filleve të procesit integrues deri në anëtarësimin në BE nënshkruhen vetëm dy dokumente, në MSA dhe në fund procesin e traktatit i anëtarësimit. Rrjedhimisht them arritja që ne si Kosovë, përkundër që nuk njihemi nga 5 vende anëtarët BE, nënshkrimi është një arritje në rrugën tonë integruese…Arritja e dytë, është çështja e liberalizimit të vizave, ne duhet të gjejmë një satisfaksion me faktin që dialogu për liberalizimin e vizave ka filluar, të gjitha 95 kriteret janë përmbushur dhe tani po presim një vendim nga ana e institucioneve të BE-së. Të gjitha duhet të pranojmë se fillimi i një procesi shumë sfidues është një arritje, dhe përmbyllja e këtij procesi me 95 kritere është një arritje, përkundër faktit që kemi pasur dyfish kritere sesa vendet tjera”, tha ai.

Hulumtimi “Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, mbështetet nga Fondi Evropian për Ballkanin./kp/