Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë Hoti, ku kanë anuluar vendimin e kthimit të ambasadorëve të Kosovës.
Konjufca ka thënë se anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së.
“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se “Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike”.
“Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%”, pohon ai.
Konjufca ka theksuar se “vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes”.
“Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA. Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme”.
Në fund të shkrimit, Konjufca ka thënë se zgjedhjet e reja demokratike do të vinë shumë shpejt.
“Qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. Prandaj këto vendime kriminale të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet që janë afër”.