Kështu, në takim u diskutua për Rregulloren e re të Kuvendit, formimin e grupeve të miqësisë, formimin e delegacioneve të Kuvendit, si dhe finalizimin e përbërjes së komisioneve parlamentare.
Duke folur lidhur me Rregulloren e re të Kuvendit, kryetari Konjufca njoftoi kryetarët e grupeve parlamentare se kjo çështje është trajtuar një kohë të gjatë por që si proces nuk është mbyllur ende. Ai shtroi nevojën e trajtimit të saj me urgjencë.
“Kemi nevojë për rregullore të re, e cila do t’i eliminonte problemet që kanë dalë në dhjetë vitet e fundit, prandaj jemi sot këtu për të diskutuar, duke pasur parasysh urgjencën e miratimit të këtij dokumenti bazë”, theksoi Konjufca.
Edhe kryetarët e grupeve parlamentare potencuan rëndësinë e shqyrtimit dhe miratimit të Rregullores së punës së Kuvendit brenda një afati sa më të shkurtër kohor.
Në këtë pikë u konstatua që nëpërmjet një akti të cilin e lëshon kryetari i Kuvendit në mbështetje të kryetarëve të grupeve parlamentare, t’i drejtohet Komisionit për Legjislacion, e që nga i njëjti kërkohet përmbyllja e punëve të mbetura përkitazi me Rregulloren e re të Kuvendit.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për formimin e grupeve të miqësisë, me ç’rast u theksua se duhet rifunksionalizuar grupet e legjislaturës së kaluar, e po ashtu duhet shqyrtuar edhe mundësinë e formimit të grupeve të reja.
Në vazhdim, u diskutua edhe për formimin e delegacioneve të Kuvendit, të cilat do të përfaqësojnë institucionin në organizata ndërkombëtare. Kryetari Konjufca njoftoi kryetarët e grupeve parlamentare me numrin e delegacioneve dhe me numrin e anëtarëve përfaqësues.
Më pas, u diskutua edhe lidhur me nevojën e finalizimit të përbërjes së komisioneve parlamentare, duke shtruar nevojën për plotësim-ndryshimet që duhet bërë dhe miratimin e tyre në seancën e ardhshme.
Në këtë mbledhje u diskutuan edhe çështje tjera me interes për punën e Kuvendit.