Site icon Prishtinapress

Konfirmohet aktakuza ndaj gjyqtarit Sali Berisha, akuzohet se mori 2 mijë euro ryshfet dhe posedoi një armë pa leje

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj gjyqtarit Sali Berisha lidhur me akuzuat për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim pa leje të revoles me dhjetë fishekë.

Berisha po akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se janë refuzuar si të pabazuara kërkesa e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës si dhe për kundërshtimin e provave.

“Refuzohen si të pabazuara kundërshtimi ndaj provave dhe kërkesa për hedhjen e aktakuzës e mbrojtësit të pandehurit Sali Berisha, avokatit Besnik Berisha, të parashtruara kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila është ngritur ndaj të pandehurit Sali Berisha nga Peja, për shkak të veprave penale: marrje e ryshfetit nga neni 421 par 2 të KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par të KPRK-së” thuhet në vendimin e Themelores.

Po në këtë vendim, thuhet se me marrjen e këtij vendimi janë marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës së Apelit, e ku gjykata ka vërtetuar se provat janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe se nuk ka pasur ndonjë provë e cila mund të jetë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, në këtë vendim janë shqyrtuar edhe propozimet e mbrojtjes për dëshmitarët e propozuar në shqyrtimin e dytë, mirëpo për këto propozime gjykata ka thënë se mund të vendosë edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Prandaj, sipas këtij vendimi gjykata ka ardhur në përfundim se kundërshtimi ndaj provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësi i të pandehurit avokati Besnik Berisha, ti refuzojë si të pabazuara, duke vlerësuar se nuk ka ndonjë provë e cila mund të jetë e papranueshme apo e cila është marrë në kundërshtim me dispozitat e KPP-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishek, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

Exit mobile version