24.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Komunat do të vendosin për rikthimin e nxënësve në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, më 1 shtator, kurse zbatimi i udhëzimeve varet nga drejtoritë komunale të arsimit.

Rikthimi në ambientet shkollore, mësimi i kombinuar dhe mësimi nga platforma të ndryshme, apo si quhen ndryshe skenari A, B dhe C, janë opsionet që mund të zbatohen nga komunat varësisht hapësirës nëpër objektet shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend, thotë Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Ministria e Arsimit, thotë Osdautaj, në plan të parë ka rikthimin në ambiente shkollore dhe për këtë po bëhen përgatitje maksimale që mësimi të fillojë në mënyrë të rregullt. Por, megjithatë, procesi mësimor, sipas tij, do të vazhdojë bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

“Gjithsesi, nëse ata (drejtoritë komunale) i respektojnë saktë udhëzimet që jepen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe nëse iu përmbahen udhëzimeve që i ka dhënë Ministria e Arsimit, komunat mund të fillojnë më skenarin A. Por, të komunat e mëdha që është sfiduese, supozojmë gjendja me pandeminë, atëherë mund të jetë skenari B, i kombinuar. Ne jemi duke bërë përpjekje që të fillohet më skenarin A. Por, aty ku ka sfida më të mëdha mund të shkohet edhe më B, nuk përjashtohet edhe C, mirëpo më pak është e pëlqyer për ne. Por, edhe këtë e kemi opsion”, thotë Osdautaj.

Cilët janë skenarët për vitin e ri shkollor?

Skenari A parasheh mësim me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, duke zbatuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale.

Skenari B ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë). Në këtë alternativë, prioritet janë klasat 1 deri 5, ku parashihet që numri maksimal në klasë të jetë 10 nxënës, orari i shkurtuar dhe mësim plotësues online.

Kurse skenari C parasheh mësimi nga distanca nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.

Mundësitë e komunave për mësim të kombinuar

Disa nga drejtoritë komunale, po preferojnë mësimin e kombinuar, e disa nuk kanë marrë ndonjë vendim, nëse për shkak të situatës epidemiologjike pamundësohet kthimi në objektet e shkollës.

Xhemile Thaçi -Vezgishi, drejtoreshë e drejtorisë se Arsimit dhe Shkencës në Komunën e Prizrenit, tregon se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, por që nuk kanë marrë ndonjë qëndrim se cili skenar do të zbatohet.

Ajo thotë se Komuna e Prizrenit numëron rreth 30 mijë nxënës dhe është e gatshme të zbatojë cilindo skenarë.

“Mirëpo, duke pasur parasysh gjendjen me pandemi, atëherë ndoshta duhet të bëjmë kombinim të këtyre skenarëve, në mënyrë që të dalim sa më mirë në këtë drejtim”, tha Thaçi-Vezgishi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, drejtori i drejtorisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Komunën e Gjakovës, Bernard Frrokaj, komunë kjo që numëron mbi 17 mijë nxënës, thotë se në Gjakovë është e pamundur ndarja nga 10 nxënës në një klasë, për shkak të mungesës se objekteve shkollore, por në viset rurale, thotë ai, në disa raste mësimi i kombinuar mund të ndodhë për shkak se numri i nxënëseve është shumë më i vogël. Pavarësisht kësaj, ai thotë se ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret.

“Problem ndoshta nuk do jetë zbatimi i masave mbrojtëse për COVID 19 brenda në shkollë, por problem mund të paraqitet edhe ardhja dhe shkuarja e tyre nga shkolla sepse ne nuk mund të menaxhojmë, se si do të sillen (nxënësit), a do të qëndrojnë në grupe apo si. Kështu që konsiderojmë se ende është një pozitë e palakueshme për të marrë një vendim konkret”, tha Frrokaj.

Drejtori i drejtorisë për Arsim dhe Kulturë në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor kanë filluar, por sipas tij, mundësitë aktuale janë që mësimi të fillojnë në mënyrë të kombinuar.

Numri i përgjithshëm i nxënësve në këtë komunë në arsimin parauniversitar llogaritet të jetë 7,100.

“Ne e kemi problem që të ndajmë nga 10 nxënës në klasë. Edhe sikur të kemi hapësirë, nuk kemi mësimdhënës, është problem të organizohet kjo mënyrë. Kështu që mësimi i kombinuar mund të zhvillohet, një numër i nxënëseve vijnë një shkollë, kurse gjysma tjetër e përcjellin online mësimin. Ardhja e nxënësve në shkollë do të bëhet më rotacion”, tha Shoshi.

Ndryshe, Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të bisedojë edhe me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ku llogaritet që është numri më i madh i nxënësve, por ata nuk kanë qenë të gatshëm për një përgjigjeje rreth kësaj çështjeje.

Mësimi nga distanca apo mësimi kombinuar do të ndikojë në rënien e cilësisë se arsimit

Edhe ekspertë për çështje të arsimit, thonë se nëse kushtet epidemiologjike nuk lejojnë kthimin në shkollë, atëherë mësimi i kombinuar mund të jetë më efektiv sesa mësimi nga distanca, i cili iu është imponuar nxënësve nga masat që u morën në muajin mars nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Dukagjin Pupovci, drejtues i Qendrës për Arsim të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe opsioni i mësimit të kombinuar nuk mund të sjellë cilësi dhe të realizojë objektivat e duhura, megjithatë, kjo ka qenë e obligueshme edhe në nivel global.

“Unë mendoj se kjo mund të jetë më efektive, nëse ka mundësi që ai grupi që qëndron në shtëpi po ashtu të punojë diçka, respektivisht t’i marrë detyrat të cilat jepen. Jo të bëhet ashtu që një javë të punojë njëri grup dhe tjetri të qëndrojë kot, dhe pastaj javën tjetër të ndërrohet. Por, të krijohet një kombinacion në mes të këtyre grupeve. Mënyra më e mirë do të kishte qenë, që krahas mësimit në klasë, të bëhet edhe transmetimi përmes platformave të ndryshme”, thotë Pupovci.

Ndryshe, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj të hënën gjatë një takimi me udhëheqës të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka informuar për tri opsionet e mundshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahma Jasharaj, ka thënë se cilido vendim lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor nuk është i lehtë dhe se kërkon angazhimin, jo vetëm të MASH-it, Drejtorive Komunale të Arsimit, (DKA) dhe SBASHK-ut , por edhe të gjithë institucioneve qendrore e lokale.

Ndryshe, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar qeverinë, konkretisht Ministrinë e Arsimit, për mospublikimin e një plani konkret për fillimin e vitit të ri shkollor.

Madje, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Arsimi, në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor./REL/.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles