Komisioni Evropian ka rikonfirmuar sot rekomandimin e tij pozitiv për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Komisioni ka hartuar një raport të ndërmjetëm i cili pritet t’u shërbejë si një bazë e re vlerësimi vendeve anëtare.
Në fund të këtij muaji, Këshilli Evropian pritet do të diskutoj temën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërkohë që do të miratohet dhe metodologjia e re e prezantuar muajin që shkoi.
“Në dritën e progresit domethënës të arritur dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli, në muajin qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hap negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka pasur rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të muajit qershor 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme”, saktëson raporti.
Në mbledhjen e tetorit të Këshillit Evropian, presidenti francez Emanuel Macron vuri veton duke lënë pezull shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa kërkoi një rishikim të procesit të bisedimeve dhe vetë zgjerimit. Komisionit Evropian ju kërkua që të përgatiste një dokument të ri, i cili u prezantua javën e shkuar në Bruksel nga komisionari për Zgjerimin, Oliver Harvelyi.
Me hartimin e metodologjisë së re, Franca duket se është e gatshme të heqë dorë nga bllokimi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Dy javë më parë, në konferencën e sigurisë në Mynih, presidenti francez Emmanuel Macron e lidhi vendimin e ardhshëm të vendit të tij, pikërisht më raportin e sotëm të Komisionit.
“Tani të gjithë presim në mars raportin e Komisionit rreth procesit për të dy vendet. Pra, duhet të shohim çfarë do të thotë Komisioni për progreset e pritura në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut për këto çështje dhe në varësi të kësaj, konsideroj se në raport me para-kushtet që kisha vendosur, nëse rezultatet janë pozitive dhe është vendosur besimi, do të bëhet e mundur që të marrim vendim për hapjen e bisedimeve”, nënvizoi presidenti francez. /VoA/