Kolegji AAB tejkaloi numrin e regjistrimit të studentëve, Ministria e Arsimit hesht (Dokument)

0
47

Kolegji privat AAB, e ka tejkaluar numrin e regjistrimit të studentëve për vitin akademik 2018/19.

75 studentë të cilët janë pjesë e numrit të tejkaluar për regjistrim, do të hasin në vështirësi për vërtetimin e diplomës së tyre në Ministrinë e Arsimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në vitin 2017 kishte lansuar Sistemin e Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), përmes të cilit, të gjitha institucionet e arsimit të lartë, obligohen që të deklarojnë numrin e studentëve të regjistruar për nivelin akademik përkatës.

Libri Amëz i studentëve të institucioneve të arsimit të lartë, ka për qëllim mbajtjen dhe ruajtjen e të gjitha të dhënave relevante për studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC), në Agjencionin e Kosovës për Akreditim(AKA), është organ i cili vendosë për numrin e studentëve në programe studimore, në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Portali ka siguruar dokumente ekskluzive, ku shihet se në pesë programe akademike, kolegji në fjalë tejkaloi numrin e studentëve sipas sistemit SMIAL .

Front Online ka kontaktuar me MAShT-in, për ta pyetur se çfarë masash kanë ndërmarrë për t’i ndëshkuar kolegjet që kanë tejkaluar këtë numër të studentëve, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk kemi pranuar përgjigje.

Prorektori për Çështje Akademike në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi ka thënë për Front Online se gjatë gjithë kohës bashkëpunojnë me MAShT-in dhe me AKA-në, sa i përket respektimit të kufizimeve të numrave të studentëve në programet studimore.

“Në asnjë rast nuk kemi tejkaluar kuotat e përcaktuara nga ana e AKA-së dhe në këtë drejtim nuk kemi asnjë telashe në lidhje me këtë çështje. Sistemi SMIAL është i programuar në atë formë që nuk lejon tejkalimin e kufizimeve“, ka thënë Vehapi për Front Online.

Ndërkohë që në ‘raportin e vendosjes së studentëve nga Institucionet e Arsimit të Lartë publike dhe private në sistemin SMIAL për vitin akademik 2018-19’, thuhet se ky kolegji ka tejkaluar numrin e studentëve në pesë programe.

Gjetjet e raportit

Kolegji AAB ka tejkaluar numrin e studentëve në programin ‘Shkenca Kompjuterike’ në nivelin Bachelor i Shkencës.

Sipas Agjencisë së Kosovës për Akreditim(AKA), numri maksimal i studentëve për këtë program duhet të ishte 200, ndërsa kolegji në fjalë, e ka tejkaluar këtë numër për 33 studentë sipas sistemit SMIAL.