Site icon Prishtinapress

Kodi i dialogut

Viti nisi me diskutimin e çështjes së kodit telefonik të Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë për zgjidhjen e një mori temash kontestuese. Me kodin u përmbyll ky vit, duke gjetur një zgjidhje finale.

Dhe pikërisht kjo zgjidhje ka demaskuar në masë kodin e procesit dialogues që zhvillohet në Bruksel prej gjashtë vjetësh – përligjjen e ilegales dhe thellimin e ndarjes, shkruan Koha Ditore.

Ishte proklamuar prefiksi shtetëror, por u nda kod gjeografik për “Kosovën dhe Metohinë”; ishte bërë marrëveshje për rivitalizim të urës së Ibrit, por në dalje të saj në veri u ngrit një mur betoni më shumë se dy metra i lartë; qe premtuar shuarja dhe dënimi i strukturave paralele e paramilitare serbe, por disa nga këto struktura janë fuqizuar e të tjera janë amnistuar dhe akomoduar në institucionet e Kosovës, kundër të cilave punojnë; ishte bërë marrëveshje për organizimin e komunave me shumicë serbe në një OJQ, por mekanizmit ombrellë që do ta bëjnë ato, i janë premtuar edhe kompetenca ekzekutive; Kosova pati kërcënuar me reciprocitet, por targat që lëshon ajo mbulohen në Serbi, dhe e kundërta nuk zbatohet nga Prishtina zyrtare; ishte premtuar integrimi, por është thelluar ndarja.

Më 5 janar Austria ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, bazuar në një marrëveshje të mbërritur midis Prishtinës e Beogradit zyrtar. Vonesat e kanë përcjellë këtë proces para dhe pas aplikimit. Nëpërmjet një marrëveshjeje të 2013-s, parashihej që nga janari i 2015-s do të mundë të përdorej nga operatorët vetëm kodi i cili do t’i ndahej Kosovës nga ITU-ja. Nuk ishte ndarë.

Exit mobile version