13 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

KMDLNJ-ja reagon për kthimin e Xhabir Zharkut në Kosovë: Të ndryshohet ligji që favorizon kriminelët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, përmes një reagimi kanë kritikuar ligjshmërinë e kthimit të ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharkut në Kosovë. KMDLNJ-ja përmendin edhe rastin e Leme Xhemës, e cila po fshihet diku në Serbi, që nga koha kur ndaj saj u shqiptua dënimi me burg. Këshilli kërkon që të ndryshohet ky ligj, që, sipas tyre, po favorizon kriminelët.

Kohë më parë është kthyer në Kosovë ish – kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me një dënim prej 3 viteve burg për shkak të një vepre penale që konsiderohet si e rëndë dhe që paraqet rrezik për siguri të shoqërisë dhe shtetit. Ky dënim kishte marrë plotfuqishmërinë pas së cilave, nëse në një afat të paraparë me ligj, i dënuari nuk shkon në vuajtje të dënimit sipas ftesës së organeve të autorizuara, atëherë është dashur të bëhet ekzekutimi i detyrueshëm e i cili nuk ishte bërë”, thotë KMDLNJ, transmeton Express.

Të njëjtit përmenden edhe rastin e Leme Xhemës, ish-drejtoresha e PTK-së.

Gjithashtu, edhe Leme Xhema, e dënuar për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte udhëheqëse e PTK –ës, pas plotëfuqishmërisë së dënimit dhe pa mundësi shtesë të ankimimit, iku nga vuajta e dënimit duke u strehuar në një komunë të Serbisë ku, gjithashtu, duke u bërë zyrtare e shtetit të Serbisë gëzoi mbrojtje deri sa i fitoi “të drejtat“ të kthehet në Kosovë, pa i hyrë një ferrë në këmbë dhe kthimin e saj e përcolli me muzikë në qendër të Prishtinës, sikur të festohej përvjetori i pavarësisë së Kosovës dhe jo kthimi i një të dënuare për një vepër penale që ka abuzuar me paratë e qytetarëve dhe e ka dëmtuar shtetin”, thotë Këshilli.

Kurse, për Xhabir Zharkun, komunikata thotë se ai e kishte më lehtë duke pasur nënshtetësi suedeze dhe, si i tillë ishte përfitues i beneficioneve të shtetit suedez ndonëse ishte dënuar në Kosovë për aktivitete kriminale.

“Sipas deklaratave të të dënuarit Zharku motivi i kthimit të tij në Kosovë ishte dëshmimi i pafajësisë dhe dëshira e tij për ta zhvilluar Kosovën e që lirisht mund të llogaritet si krim i dytë apo përqeshje me ligjin”, shkruan në komunikatë.

KMDLNJ thotë se ka edhe shumë raste të tjera kur të dënuarit i janë shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur nga Kosova deri në kohën e parashkrimit absolut të dënimit për t’u kthyer pastaj, thuaja si heronj.

“Meqë këta nuk janë persona publikë, as opinioni nuk është fort i interesuar për rastet e tyre”.

Sipas ligjeve në fuqi, të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe të huajt që kanë qëndrim të lejuar në Kosovë duhet të trajtohen pa dallime dhe pa diskriminime para gjykatave, qoftë gjatë procesit gjyqësorë, gjatë gjitha fazave të ankimimit sikur edhe gjatë vuajtjes së dënimit, me burg efektiv apo dënime tjera alternative.

Një kritikë të ashpër KMDLNJ e pati edhe për Gjykatat në Kosovë.

Gjykatat e Kosovës po bëjnë gabim kur nuk po marrin masa sigurie ndaj të dënuarve, shtetas të huaj apo që kanë dyshtetësi, që nuk po ua konfiskojnë dokumentet e udhëtimit dhe në këtë mënyrë do ta parandalonin ikjen e tyre nga drejtësi për krimet e bëra kur ato të vërtetohen me një vendim të prerë të gjykatës kompetente prandaj, do të kemi raste edhe në të ardhmen sikur të Leme Xhemes dhe Xhabir Zharkut dhe të tjerëve e që, në fakt është inkurajim për krimin dhe kriminelët  duke e instaluar në këtë mënyrë mosndëshkueshmërinë si standard moral, njerëzorë dhe ligjorë për persona të pamoralshëm , kriminelë dhe shkelës të ligjit”, thotë njoftimi, transmeton Express.

Shteti, me ligjet në fuqi, me dënimin e shqiptuar apo ndonjë mase tjetër nuk e ka për qëllim t’i hakmerret kryerësit të veprës por të parandalojë krime në të ardhmen duke u dërguar porosi të qartë të gjithë atyre që mendojnë të kryejnë krime apo planifikojnë veprime kriminale.

Zbatimi i standardeve të dyfishta e që në masë të madhe ka qenë shenjë identifikuese e “drejtësisë“ ndërkombëtare në Kosovë është bërë trashëgimi e keqe edhe për gjyqësorin vendorë dhe kjo , përjashtuar ndikimet politike , më së shumti e dëmton dhe diskrediton zbatimin e ligjit dhe fuqinë e shtetit të së drejtës.

Nëse shteti i Kosovës nuk ka mundësi të eliminojë edhe në të ardhmen rastet sikur Xhema, Zharku dhe të tjerët atëherë, përmes ndryshimeve të ligjeve mund ta ulë në masë të madhe këtë dukuri.

Në të ardhmen, në kuadër të dënimit duhet të shqiptohen edhe masat që sigurojnë se i dënuar do ta vuaj dënimin për veprën e kryer, qoftë duke ia konfiskuar dokumentet e udhëtimit, në rast se ka rrezik për ikje nga dënimi nuk duhet të lirohet deri në plotëfuqishmërinë e vendimit për dënim apo duhet të vendoset në një masë ku është i mbikëqyrur gjatë tërë kohës përmes kontrollit të lëvizjeve me unaza elektronike që detyrohet t’i bartë, deri në një vendim tjetër.

Si masë tjetër mund të jetë edhe zgjatja e kohës së parashkrimit të dënimit.

Le ta marrim rastin Zharku. Nëse për shqiptimin e dënimit prej 3 viteve burg i duhet të kalojë dyfishin e kohës për vjetërsim atëherë, me një ndryshim të ligjit mund dhe duhet që kjo masë të dyfishohet e që nënkupton që për rastin në fjalë koha e vjetërsimit të zgjatet në 12 vite.

Nëse edhe këto masa nuk tregohen si të mjaftueshme atëherë, si masë e skajshme mund t’i ndalohet hyrja në Kosovë në një periudhë të caktuar kohore apo marrja e shtetësisë apo lejeqendrimit, kuptohet me një vendim gjykate dhe pas shterjes së të gjitha mundësive të ankimimit. 

Kështu veprojnë shumë shtete në botë pavarësisht se me zhvillim të demokracisë janë shekuj e shekuj para nesh.

Mosndëshkueshmëria, si standard i pranuar nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin përmes pranimit të vjetërsimit së veprës penale dhe dënimit , në një shoqëri me një transicion të stërzgjatur , me një brishtësi të theksuar nga ndikimet politike dhe statusi shoqërorë, krijon klimë optimale për lulëzim të gjitha llojeve të krimit dhe shëndoshje të kriminelëve  sikur që skajshmërishte diskriminon duke e bërë të pakuptim parimin se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit duke i legalizuar muskujt kriminelë, të imunizuar nga politika.

Mos të flasim këtu për mbrojtje të drejtave të njeriut që domosdoshmërisht mbrohen me zbatimin e drejtë të ligjeve, në radhë të parë për viktimën pastaj edhe për kryerësin e krimit!”, thotë njoftimi për media i dërguar nga KMDLNJ.

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles