Një deklaratë e bërë vite më parë nga aktualisht ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, për Gjykatën Speciale dhe ish-krerët e UÇK-së ka ngjallu reagime të mëdha.
Gërvalla atë kohë kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaci dhe Kadri Veseli”.
“Gjykata Speciale ende nuk është institucion që një qytetar t’i drejtohet, brenda mundësive që kam patjetër (se do t’i drejtohem), sa do të merren në konsideratë është gjë tjetër”, ka thënë Gërvalla.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare, Faton Klinaku thotë se Gërvalla e ka obligim të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, dhe nëse po, në çfarë cilësie.
“Ajo duhet të tregojë nëse ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale dhe nëse po, në çfarë cilësie. Nuk ka nevojë me dërgu se Specialja ka mjaft dosje prej prokurorisë serbe”, ka thënë Klinaku për Reporterin.
Ai ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet të veprojnë lidhur me Specialen, pasi thotë se kësaj gjykate i ka skaduar mandati.
“Ne do të kërkojmë nga institucionet të bëjnë diçka me Specialen, ata mund të ndryshojnë ligjin, kësaj gjykate që ne nuk e njohim i ka skaduar mandati”, ka thënë ai.
Kurse lidhur me raportimet për interesim për ofrimin e garancioneve nga Kroacia dhe shtete tjera për mbrojtje në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Klinaku thotë se institucionet e vendit do të duhet të veprojnë.
“Po të ishin serioz do të duhej të vepronin”, thotë ai.
Ai thotë se ligji i Speciales e parasheh mbrojtjen në liri edhe në Kosovë.
“Edhe ligji për Dhomat e Specializuara që e kanë miratuar vet, parashihet që Kosova të garantojë së pari vet. Neni 41 i këtij ligji parasheh se kur të përmbushen kushtet mund të mbrohen në liri edhe në shtëpitë e tyre, sigurisht duke qenë nën përkujdesje”, thotë Klinaku.
Kurse sa i përket lirimit me kusht në një vend të tretë, Klinaku thotë se edhe këtë e parsheh ligji për Dhomat e Specializuara, dhe kjo mund të ndodhë nëse pranohet nga personi dhe vendi i tretë.
Kujtojmë se dhoma e Apelit e Dhomave të Specializuar javën që shkoi vendosi për refuzimin e kërkesës së Hashim Thaçit dhe të tjerëve për lirim të përkohshëm. Megjithatë, në vendimin e saj, Gjykata Speciale e la të hapur mundësinë e mbrojtjes në liri në vende të treta të Thaçit dhe të tjerëve.
Në vikend u raportua se Kroacia, Sllovenia e Austria kanë shprehur interesim për ofrimin e garancioneve për mbrojtje në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Një gjë të tillë e tha, Hysni Berisha, ish-komandant i UÇK-së e anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, deklaratë që ngjalli jo pak reagime.
Megjithatë ende nuk ka një qëndrim nga institucionet e shtetit lidhur me mundësinë që t’i sigurohet garanci Speciales për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.
Kujtojmë se Kadri Veseli me leje të Speciales dhe nën mbikëqyrje të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës po qëndron në Kosovë për arsye familjare, konkretisht për shkak se ka babanë në gjendje të rëndë shëndetësore.