Kjo është arsyeja kryesore që e nxiti debatin e ashpër deri në përleshje fizike mes Abazit e Molliqajt

0
139

Në përleshje fizike ka përfunduar debati në emisionin Pressing të T7 në  mes dy kandidatëve për deputetë Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe atij nga koalicioni PSD-AAK, Dardan Molliqaj.

Abazi dhe Molliqaj kishin konfrontime të forta mes tyre gjatë gjithë debatit duke fyer njëri tjetrin.

E momenti kulmor erdhi kur Dardan Molliqaj i tha Abazit se sonte do ta sheh në ëndërr pasi e ka përmendur gjatë tërë kohës.

“Veç një batutë po e lshoj, qysh ja ka nis Hakia me më përmen shpesh, tutna edhe andërr don me me pa sonte”, tha Molliqaj.

Kurse Haki Abazi i ktheu se ty as gruaja jote nuk të sheh në ëndërr.

“E mira që ti s’je i vetmi Dardan, ty nuk të shoh në andërr kurrë, ty as gruaja jote nuk të sheh në andërr”, i tha Abazi.

Abazi iu drejtua Molliqajt duke i thënë që mos ta thërrasë Hakia, pasi është gjini femërore por ta thërrasë Hakiu.

Kurse Dardan Molliqaj ia ktheu se edhe dukesh pak si femër.

Pas kësaj tensionet u ngritën edhe më tej, ku dy mysafirët Abazi dhe Molliqaj vazhduan duke fyer njëri tjetrin.

Ndërsa pas përfundimit të pjesës së parë të emisioni Pressing, Abazi dhe Molliqaj i kanë qëruar hesapet fizikisht.

Fjalët e Haki Abazit për përleshjen: “Kam qenë duke dalur nga koridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshim me m`goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe qashtu njëfarë situate e pakëndshme e kapjes për fyti e qisi senesh. Edhe një goditje në këmbë sdi ka më ka ardhë se ishte një situatë komplet jo e mirë”, kishte thënë Abazi.

Fjalët e Molliqajt për përleshjen: “Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj pas incidentit.

Vetëvendosje pas debatit në një deklaratë në Facebook e ka quajtur bandit Dardan Molliqajn.

“Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë. “Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi.

Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në deklaratën e VV-së.

Policia e Kosovës ka intervistuar mbrëmë të dyshuarit:

“Më datë 11.09.2019, rreth orës 22:55, Policia ka pranuar informatën lidhur me një incident në Fushë Kosovë, dhe njësitet e stacionit kompetent policor menjëhërë kanë dal në vendin e ngjarjes, ku aty kane takuar njërin nga personat e përfshirë i cili është në proces të intervistimit dhe tani janë duke ndërmarr të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, në mënyrë që në konsultim me prokurorin kompetent të ndërmerren veprime të mëtutjeshme”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha. /GazetaExpress/

Ndiqeni momentin e përplases verbale me Molliqajt dhe Abazit.