Këshilltari kryesor i Trump që ndërmjetësoi takimin Hoti – Vuçiq jep detaje çfarë ndodhi sot dhe çfarë pritet nesër

0
50

Këshilltari Kombëtar për Siguri në SHBA, Robert O’Brien, ka folur pas përfundimit të takimit mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpi të Bardhë. Ai thotë se nesër pritet të vazhdojnë takimet, derisa ka treguar se përfaqsues të bankave të mëdha kreditore, korporatave amerikane dhe Fondit të Mileniumit të Ri kanë qenë në takim.

“Diskutime të mira këtë pasdite me liderët e Serbisë dhe të Kosovës. Ata kanë përparim të ndjeshëm sot. Një falënderim për Koorporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA’së, Fondacionin e Mijëvjeçarit të Ri dhe Bankën Exim që iu bashkuan takimit. Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, tha ai.

 

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.