Site icon Prishtinapress

Këshilltari i Thaçit i reagon Kurtit: A ishte e pavlerë edhe marrëveshja e nënshkruar nën presion që i dha fund luftës

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, duke i reaguar Kurtit, ka thënë se marrëveshjet që sollën lirinë dhe pavarësinë ishin bërë nën kërcënim dhe presion.

Përmes një shkrimi në Facebook, Behrami ka shkruar se me sa duket Kurti ka harruar, të gjitha marrëveshjet e suksesshme që janë nënshkruar në Ballkan janë nënshkruar me adrenalinë, duke përdorur presionin, forcën dhe kërcënimet.

“Shqiptarët dhe serbët nuk janë habsburgë dhe as skandinavë. Prandaj, gjasat që të ulën bashkë dhe t’i zgjidhin problemet shekullore, me shtypje të gjakut 90/60, pa ndërmjetësimin e askujt janë zero. Në fakt, se po duket që Kurti ka harruar, të gjitha marrëveshjet e suksesshme që janë nënshkruar në Ballkan janë nënshkruar me adrenalinë, duke përdorur presionin, forcën dhe kërcënimet. Pjesëmarrësit në negociatat e Rambujesë për shembull flasin për “negociata torturuese dhe presion të madh psikologjik”, që ambasadori Richard Holbrooke dhe sekretarja Madeleine Albright kishin përdorur mbi shqiptarët dhe serbët”, thotë ai.

Sipas tij, pikërisht ai presion dhe ato kërcënime shporrën regjimin e Millosheviqit dhe Kosovës i sollën lirinë dhe çlirimin.

“Sipas teorisë së Kurtit, as marrëveshjet që i dhanë fund luftës në Kosovë, që u nënshkruan nën presion dhe me kërcënime, nuk paskan pasur vlerë. Gjatë negociatave për statusin e Kosovës, deri në shpalljen e pavarësisë, ka pasur kërcënime, presione dhe rezistencë për të pranuar pakon e Ahtisaarit, e cila e solli pavarësinë e Kosovës. “Mjaft është mjaft, Kosova do të bëhet e pavarur”, kishte thënë me doza kërcënimi Bush në Tiranë”, theksoi ai.

Behrami konsideron se atë që është duke e bërë sot ambasadori Grenell është pikërisht ajo që e kishte bërë edhe Holbrooke më 1999 në Rambuje.

“As më pak dhe as më shumë, vetëm koha, konteksti dhe gjeopolitika janë më ndryshe. Mjetet janë të njëjta! Atë që po dëshiron të bëjë presidenti Trump është pikërisht e njëjtë me atë që bëri Clinton më 1999 dhe Bush më 2007. Por, ajo çfarë ka ndryshuar është që disa nga liderët e tashëm të Kosovës nuk e kanë guximin e liderëve të atëhershëm për t’ia besuar këtë proces Amerikës, që rezultatet tashmë janë të dëshmuara në dy dekadat e fundit”, ka shkruar ai.

Exit mobile version