Site icon Prishtinapress

Këshilltari i Thaçit akuzon Qeverinë Kurti: E braktis Amerikën, orientohet kah Lindja

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka akuzuar kryeministri Albin Kurti se po e drejton Qeverinë kah Lindja, duke e braktisur SHBA-në.

Behrami,  përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria Kurti po frikësohet dhe po ndikohet nga paranojat dhe paragjykimet ndaj SHBA-së.

“Meqë keni braktisur Amerikën dhe jeni orientuar kah Lindja, ja disa shembuj që mund të jenë të vlefshëm: Gjatë negociatave për statusin e Kosovës që u mbajtën në Vjenë, Rusia, si armiku më i madh i Kosovës dhe i Amerikës, u bë pjesë e procesit pa e paragjykuar fundin e tij. Ata, gjatë gjithë kohës u përfshin në negociata, deri kur, në një ditë të bukur, Marti Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ai ishte momenti kur Rusia braktisi negociatat. Pjesa tjetër është histori…”, shkruan Behrami.

Postimi i plotë i Behramit:

“Meqë keni braktisur Amerikën dhe jeni orientuar kah Lindja, ja disa shembuj që mund të jenë të vlefshëm:

Gjatë negociatave për statusin e Kosovës që u mbajtën në Vjenë, Rusia, si armiku më i madh i Kosovës dhe i Amerikës, u bë pjesë e procesit pa e paragjykuar fundin e tij. Ata, gjatë gjithë kohës u përfshin në negociata, deri kur, në një ditë të bukur, Marti Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ai ishte momenti kur Rusia braktisi negociatat. Pjesa tjetër është histori!

Sot, mbi një dekadë më vonë, kemi një Qeveri në Kosovë, e udhëhequr nga paranoja dhe paragjykimet, që dëshiron të bëjë të kundërtën. Qeveria Kurti frikësohet të hyjë në një proces nga i cili mund të dalë sa herë që mendon se interesat e Kosovës po shtypen nga Amerika e tyre imperialiste!

Kështu, kjo Qeveri ka zgjedhur rrugën e gjatë, të mundimshme në kërkim të tokës së bekuar, e cila duhet të jetë e mbushur përplot sakrificë, mund dhe vetëmohim. Një rrugë që e kundërshtojnë të gjithë, por ku mendimi largpamës i Mesias është më i vlefshëm se ofshamat e kuazi pro-amerikanëve!

Një rrugë që duhet shkelur, edhe me kushtin që Kosova, në fund të saj, mund të mbesë me një grusht njohjesh, e izoluar nga mobiliteti social në BE, pa fuqi punëtore, pa anëtarësim në NATO dhe në konfrontim të rrezikshëm me Amerikën!

Një rrugë e mjegulluar, me shikueshmëri prej dy metrash, por pa vizion dhe real politikë!”, ka shkruar Behrami.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ka shumë interes nga disa njerëz për të penguar procesin e arritjes së një marrëveshje përfundimtare paqeje, midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, më lejoni ta them përsëri, me zë të lartë dhe të qartë: Ne po flasim për përfundimin e një konflikti të vjetër shekullor, duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, jetë më të mirë për qytetarët tanë, dhe njohje reciproke. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Exit mobile version