Site icon Prishtinapress

Kërcënohet prokurori i Krimeve të Rënda në Prizren

Personi me inicialet H.P. është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë për shkak se kanosi prokurorin e krimeve të rënda në Prizren.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi vet prokurori Mehdi Sefa, i cili tha se personi i dyshuar kishte kërkuar prokurorin në recepcion dhe me të hyrë në zyrë kishte filluar ta ofendonte dhe kërcënonte.

“Ai më fajësonte për dënimin që kishte marrë djali i tij, lëndën e të cilit e kam pasë unë. Më quajti me fjalë fyese “gomar prokuror” dhe vazhdoi të më kërcënonte duke mos u larguar nga zyra ime”, tha prokurori Sefa.

Më tutje, prokurori Sefa tregoi se fjalët kërcënuese kishin vazhduar nga i dyshuari në zyrën e tij derisa ai ishte detyruar ta lëshonte zyrën dhe të intervenonte Policia në arrestimin e të dyshuarit.

Motivi i kanosjes ndaj prokurorit nga i dyshuari H.P. duket të jetë lënda e djalit të tij, të cilin prokurori e kishte akuzuar për dy vepra penale: atë të vrasjes në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Prokurori njoftoi se djali i të dyshuarit për këto dy vepra penale është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 22 muaj burg. I pakënaqur me këtë vendim, prokurori Sefa kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe dënimi ishte rritur në 3 vjet burg.

Si rezultat i kësaj, prindi i të dënuarit e kishte kërcënuar prokurorin se për fajin e tij djali i ishte dënuar me një dënim kaq të lartë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

“Po, sot kemi marrë një denoncim për kanosje ndaj një prokurori të krimeve të rënda. I dyshuari është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë”, tha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Exit mobile version