9.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Ker-Lindsay: Formimi i Këshillit të Ekspertëve për dialogun me Serbinë, mund të vështirësojë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare

Formimi i Këshillit të Ekspertëve për dialogun me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës vetëm mund të vështirësojë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, thotë për Radion Evropa e Lirë, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, njëherësh njohës i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor.

Ai thekson se në këto rrethana, Kosovës i duhet një lider, që mund të marrë vendime përfundimtare.

“Ju duhet një lider/e që ka një ekip të mirë rreth vetes, këshilltar të mirë politik, ligjor dhe ekonomik. Kur formoni këshilla të tillë, shumë shpesh e ndërlikoni situatën. E kam parë edhe më parë, në Qipro dhe Kosovë. Ata përgatisin shumë dokumente që janë plotësisht jorealiste. Ju kurrë nuk do të arrini një marrëveshje nëse këshillat e tillë vendosin për politikat.Në thelb, juve iu duhen njerëz që marrin vendime përfundimtare. Nuk po flas për lider autoritar, por lider për një proces paqeje që mund të marrë vendime për të cilat e di se nuk janë të lehta dhe as të thjeshta, por që e di se në fund do të mund t’ia paraqiste ato qytetarëve”, thotë Lindsay.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, në mbledhjen e kabinetit, ka marrë vendim për të themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.

Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të emërojë edhe një koordinator për dialogun, i cili pritet të udhëheqë këtë Këshill. Siç është thënë, ky organ do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.

Më parë kryeministri Hoti ka inicuar edhe Forumin e Liderëve të partive politike përmes së cilit është synuar të unifikohen qëndrimet për dialogun.

Jeta Krasniqi, analiste në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se formimi i këtij Këshilli do të duhej të bëhej shumë kohë më parë në mënyrë që të kishte një vazhdimësi të përgatitjeve për temat që pritet të diskutohen në kuadër të këtij procesi. Megjithatë, ajo thotë se tash është e nevojshme të ketë një qartësim për procesin e dialogut dhe një mobilizim edhe më të madh për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë.

“Ka shumë fusha ku mund të ofrohet ekspertizë (nga ana e Këshillit të Ekspertëve) qoftë në aspektin e së drejtës ndërkombëtare apo edhe tema specifike, pra sa më shumë duhet të ketë mbështetje dhe angazhim të ekspertëve në këtë proces”.

Kush do ta përbëjë Këshillin?

Qeveria e Kosovës synon që anëtarët e këtij këshilli të përgatisin dokumente dhe analizave specifike për çështjen e dialogut me Serbinë.

Këshilltari politik i kryeministrit, Xhavit Beqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përbërje të tij do të jenë personalitete nga fusha akademike, shoqëria civile si dhe përfaqësues të jetës politike që kanë qenë të përfshirë në negociata, që nga koha e bisedimeve në Rambuje dhe ato të Vjenës.

“Përveç ndihmës teknike dhe këshillave të ndryshme, ky këshill i ekspertëvedo të jetë edhe një shenjë e unitetit të vendit karshi sfidave që kemi. Siç e dini, edhe më parë, pavarësisht polarizimeve politike, që janë ndoshta normale në jetën demokratike, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për vendin, Kosova ka treguar që ka kulturë të lartë demokratike. Para interesave politike të ditës, subjektet politike kanë arritur të gjejnë konsensus për interesat madhore të vendit”, thotë Beqiri.

Por, ky konsesus i partive politik, tash për tash, mungon.

Këtë e pranon edhe zyrtari i Qeverisë së Kosovës. Ai thotë se partitë politike do të duhej që qëndrimet e tyre t’i paraqesin në Forumin e Liderëve, nismë kjo e kryeministrit Avdullah Hoti.

Beqiri thotë se në takimin e ftuar nga kryeministri Hoti, ftesës nuk i janë përgjigjur partitë politike në opozitë.

Kryeministri Hoti më 17 qershor pati deklaruar se ky forum është një organizëm ku kryetarët e partive politike e parlamentare që kanë përgjegjësinë politike në bazë të numrit të votave që kanë në Parlamentin e Kosovës, do të mblidhen dhe do të diskutojnë për qasjen e qeverisë në procesin e dialogut.

Cilat janë qëndrimet e partive opozitare?

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se uniteti dhe bashkëpunimi i brendshëm është gjithmonë i rëndësishëm dhe i nevojshëm, sidomos kur Kosova përballet me Serbinë. Por, sipas këtij subjekti opozitar, arritja e unitetit duhet të bëhet në mënyrë të natyrshme dhe përmes legjitimitetit të institucioneve.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, deklaron për Radion Evropa e Lirë me 1 korrikse për të pasur një unitet të fuqishëm dhe që gjërat të ecin për së mbari, duhet të ketë një proces të ri zgjedhor në Kosovë.

Ndërkaq, Avni Bytyçi, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë më 14 qershor, se ky subjekt politik konsideron që tema e dialogut është shumë e rëndësishme për vendin, ndërkohë që qasja aktuale e kryeministrit Hoti ndaj kësaj teme është joserioze.

Sidoqoftë, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili si qëllim është thënë se ka normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore ndëmjet dy vendeve, aktualisht është i bllokuar dhe ende nuk ka rinisur.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë që gjatë muajit korrik të ketë një rifillim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me radhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas paraqitjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Javën e kaluar, Prokuror i Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi ka vendosur të qëndrojë në pozitën e presidentit, duke thënë se ai do të japë dorëheqje vetëm nëse konfirmohen pretendimet në aktakuzë nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles