Site icon Prishtinapress

KEK ngrihet nga të ftohtit, por thotë se po prodhon sipas parashikimeve

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se edhe përkundër motit ekstrem të ditëve të fundit, është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri.

Në njoftimin për media ka bashkëngjitur edhe disa fotografi përmes së cilave dëshmon gjendjen e ftohësve të termocentraleve, e që shihet se janë tërësisht të ngrirë, dhe thotë se “fotot nuk janë në Siberi”.

“Për vëmendjen tuaj, fotot që mundë ti shihni nuk janë në Siberi por tek ftohësit e termocentraleve të KEK-ut. Përkundër kësaj gjendje të jashtëzakonshme të krijuar ditët e fundit nga kushtet ekstreme atmosferike edhe përkundër vështirësive për shkak të pajisjeve të stërvjetruara, KEK-u, ditëve të fundit është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri. Si ilustrim, dje me dt; 10.01.2017 plani i prodhimit është realizuar 98.9%, më saktë, nga 15360 MWh të planifikuara ka arrit të realizojë prodhimin 15190 MWh, një gjendje e ngjashme është edhe ditën e sotme”, thuhet në këtë njoftim.

KEK’u thotë se përveç grupeve të operimit që punojnë në tri ndërrime, për të tejkaluar situatën aktuale të acarit, është përforcuar edhe me ekipet e mirëmbajtjes në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin Kosova A dhe Termocentralin Kosova B.

Sipas KEK’ut, operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta është tepër i vështir. Mirëpo, siç theksohet në komunikatë, “falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK’ut, kemi arritur, jo vetëm t’i mbajmë në operim por edhe ta realizojmë prodhimin e planifikuar me përpikëri”.

“Me këtë dëshmohet edhe njëherë se KEK-u si bartës i stabilitetit të sektorit të energjisë është duke treguar përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të vendit. Sido që të jetë, përveç KEK-ut, një angazhim i tillë është i nevojshëm edhe nga të gjitha subjektet e ndërlidhura me sektorin e energjisë”, thuhet në komunikatë.

KEK’u, duke dashur të jetë transparent ndaj të gjitha palëve, “vlen të theksohet se furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike në bazë të licencave të lëshuara nga ZRRE’ja, është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KESCO’së, përgjegjësi kjo e ngarkuar edhe me ligjin për energji elektrike”.

“Prandaj, për informimin e juaj KEK është përgjegjës vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe jo për reduktime apo furnizim të konsumatorëve”, thotë komunikata e dërguar për media nga KEK’u.

Exit mobile version