Site icon Prishtinapress

Katër muaj burg shtetasit amerikan për foton Rama-Obama

Një burrë që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie.

William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rrejshme para një jurie të madhe, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij të pranimit të fajit.

Por gjykatësja, Madeline Cox Arleo, vuri në dukje mungesën e precedentëve paraprak penal të 61-vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikojë në zgjedhjet amerikane.

Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me Obaman.

Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e Ramas mohoi të ishte burim i kontributeve.

Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.

Gjykatësja Cox Arleo tha se i dha Argeros një dënim më të rreptë, sepse ai pranoi të ketë gënjyer një juri të madhe.

Argeros jetonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat. Ai gjithashtu kaloi shumë vjet në Betlehem të Pennsylvanias, ku puna e tij përfshinte shërbimin në një bord këshillimor burgu dhe mbështetjen e ri integrmit të të burgosurve, tha avokati Azzarello. Disa nga ish kolegët e tij i shkruan letra gjykatëses Cox Arleo për ta mbështetur atë.

Me lot në sy, Argeros i tha gjykatëses se “ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për çfarë kam bërë”.

Exit mobile version