Site icon Prishtinapress

Katër ministri pa ‘zot shtëpie’

Katër ministri në Qeverinë e Kosovës kanë mbetur pa ministra. Tri që janë drejtuar nga Lista Serbe, si dhe Ministria e Brendshme pas dorëheqjes së Flamur Sefajt. Për postin e ministrit të Brendshëm po lakohen dy emra: Florian Qehaja dhe Fatmir Matoshi, shkruan sot Gazeta “Zëir“.

Pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria dhe pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, kanë mbetur pa udhëheqës katër dikastere qeveritare.

Ministria për Komunitete dhe Kthim (Dalibor Jevtiq), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (Ivan Todosijeviq) dhe ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (Nenad Rikallo) kanë mbetur pa ministra pasi drejtuesit e tyre tashmë janë larguar nga Qeveria (deklarativisht).

Pa drejtues aktualisht është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila deri më tash drejtohej nga ministri i AKR-së, Flamur Sefaj.

Sa i përket emërimit të ministrit të ardhshëm në MPB, nga AKR-ja kanë thënë se ende nuk dihet se kush dhe kur do të vijë në këtë pozitë.

Ndërkohë, sa i takon Listës Serbe, përfaqësuesit e koalicionit kanë vlerësuar se LS-ja vazhdon të jetë në qeverisje pasi zyrtarisht ende nuk është dorëhequr.

Madje ata janë shprehur të bindur se koalicioni do të vazhdojë të funksionojë si duhet edhe më tej.

Exit mobile version