Site icon Prishtinapress

Katër ditë fushatë, katër parti të gjobitura

Katër partive u janë shqiptuar gjoba, në vetëm katër ditë fushate nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa. Lista Serbe, Nisma Socialdemokrate, koalicioni AAK-PSD dhe LDK-ja, janë partitë të cilat u dënuan, që në ditët e para të fushtës. Sipas PZAP-së, gjatë viteve të mëhershme partitë i kanë paguar ato gjoba që janë shqiptuar.

Është dita e katërt e fushatës zgjedhore. Për këto ditë, katër  parti politike janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa

Lista Serbe është  dënuar me 30 mijë euro gjobë, 2 mijë e 500 euro Nisma  Socialdemokrate, Koalicioni AAK-PSD  me 6 mijë euro dhe LDK-ja me 11 mijë euro gjobë.

Sa i përket gjobave të mëhershme, kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, Mul Desku, tha se ndër vite ato janë paguar.

“Në zgjedhjet e kaluara për Kuvend të Kosovës por edhe në zgjedhjet lokale subjekte politike u janë përmbajtur përmbushjes së obligime apo më mirë me thënë i kanë paguar gjobat të cilat PZAP-i i ka shqiptuar gjatë proceseve zgjedhore”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mul Desku.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se nëse këto gjoba nuk paguhen atëherë asnjë subjekt poltik nuk mund të certfikohet për zgjedhje të tjera.

“Në rast se gjobat nuk paguhen edhe në vendimin e PZAP-it përmendet edhe kërcënimi për përmbarues privat, i cili më pastaj përmes procedurës i tërheq mjetet financiare nga kontot e tyre të regjistruara. Sidoqoftë nëse këto nuk paguhen, një subjekt politik nuk mund të certifikohet në zgjedhje pa marrë një vendim nga PZAP se të gjitha gjobat janë të paguara”, deklaroi Eugen Cakolli, përcjell Telegrafi.

Përndryshe, gjobat të cilat paguhen nga partitë politike shkojnë direkt në buxhetin e vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version