Site icon Prishtinapress

KASH: Masakra e Reçakut, ngjarje që nuk duhet harruar

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që pavarësisht besimeve dhe etnive, të jetojnë në paqe, si rruga më e drejtë për të kontribuar në mirëkuptim e besuar në një të ardhme që sjell prosperitet e zhvillim.

Thirrja vjen në përkujtimin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut, që këshilli e vlerëson si një ngjarje me përmasa rrëqethëse për të gjithë njerëzimin.

Këshilli bën thirrje për të mos harruar të vërtetat e hidhura që e kaluara e afërt ju ka rezervuar me qëllimin që të mos përsëriten kurrë, por edhe të pranohen si një realitet që historia ia ngarkon atyre që e kryen atë krim makabër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë konstaton me trishtim që këtij grupimi i bashkohet edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke mohuar një krim lufte të pranuar botërisht e të dokumentuar me fakte. Këshilli gjen rastin të kërkojë nga të gjithë të vlerësojnë me realizëm ngjarjet e asaj periudhe, të kërkohet falje publike pasi ajo i kontribuon së vërtetës, por edhe paqes e stabilitetit në rajon.

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptare në përkujtim të Masakrës së Reçakut:

Duke vështruar 21 vjet me parë kur mbarë bota u trondit nga një raport i lëshuar nga Misioni i OSBE – së në Kosovë nëpërmjet të cilit Ambasadori amerikan William Walker njoftonte për atë që mori emrin “Masakra e Reçakut”, e cila konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda jo vetëm të historisë së Kosovës, por një ngjarje me përmasa rrëqethëse për të gjithë njerëzimin.

Ajo ngjarje me gjithë tragjizmin e saj është një thirrje që në Kosovën e re të gjithë qytetarët pavarësisht besimeve dhe etnive, të jetojnë ne paqe , si rruga më e drejtë për të kontribuar në mirëkuptim e besuar në një të ardhme që sjell prosperitet e zhvillim.

Ajo është njëkohësisht edhe një thirrje, jo për të kthyer kokën pas, por për të mos harruar të vërtetat e hidhura që e kaluara e afërt ju ka rezervuar me qëllimin që të mos përsëriten kurrë, por edhe të pranohen si një realitet që historia ia ngarkon atyre që e kryen atë krim makabër.

Në këtë përvjetor të 21-të të asaj që ka ndodhur me 15 janar të 1999, është momenti i reflektimit edhe për ata politikanë serbë që historinë e së djeshmes së afërt akoma vazhdojnë ta lexojnë me syzet e errëta të nacionalizmit radikal ,duke mos kontribuar në krijimin e një klime paqësore e stabiliteti , që vjen edhe nga pendesa e pranimi i së vërtetës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë konstaton me trishtim që këtij grupimi i bashkohet edhe presidenti Aleksandar Vuçiq duke mohuar një krim lufte të pranuar botërisht e të dokumentuar me fakte.

Masakra e Reçakut ishte një nga ngjarjet që shënoi kthesën e madhe në qëndrimin e diplomacisë ndërkombëtare për atë që po ndodhte në Kosovë, duke i hapur udhë ndërhyrjes ndërkombëtare.

Për shpëtimin e Kosovës luftonte me heroizëm UÇK-ja, kontribuonte i gjithë faktori shqiptar brenda dhe jashtë kufirit, bombardonin avionët e NATO-s për paralizimin e fuqisë ushtarake të Beogradit, vepronte intensivisht diplomacia botërore.

Në këtë ditë simbolike të Masakrës së Reçakut që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe atë të opinionit botëror për çka po ndodhte në Kosovë, Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë shpreh ndjenjat e respektit më të thellë për ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtet-bërjen e Kosovës, por edhe gjen rastin të kërkojë nga të gjithë të vlerësojnë me realizëm ngjarjet e asaj periudhe, të kërkohet falje publike pasi ajo i kontribuon së vërtetës, por edhe paqes e stabilitetit në rajon.

Duke njohur të vërtetën janë me të mundshme rrugët për të ecur së bashku për të ndërtuar të ardhmen përmes paqes e drejtësisë, në shërbim të mirëqenies për brezat e ardhshëm./rtsh

Exit mobile version