Site icon Prishtinapress

Kadri Veseli merr Çelësin e Tiranës nga kryebashkiaku Veliaj(Foto)

Kryeparlamentari Kadri Veseli është nderuar në Bashkinë e Tiranës nga kreu i saj, Erion Veliaj, me Çelësin e kryeqytetit shqiptar.

“Në takim me kryetarin e Bashkisë, Veliaj, kryeparlamentari Veseli shprehu konsideratën e lartë për vizionin e kreut të Tiranës, duke e përgëzuar atë për punën që po realizohet anekënd këtij qyteti.

Veseli vlerësoi se zhvillimi i kryeqytetit shqiptar është i një rëndësie të veçantë, sepse reflekton pozitivisht dhe merret si model nga qytetet e tjera në Shqipëri e Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.

Në mënyrë simbolike, kryetari Veseli i dhuroi kryebashkiakut Veliaj një punim artizanal nga qyteti i Prizrenit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, nga ana e tij, u shpreh i nderuar që pati mundësinë t’i dhurojë kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Çelësin e Tiranës, për t’u ndjerë, siç tha ai, si në shtëpinë e tij.

“Ju kam ndjekur me shumë admirim për mënyrën se si po udhëhiqni, për vendimmarrjet e drejta dhe jo të lehta”, theksoi Veliaj. /PrishtinaPress.eu

Exit mobile version