Site icon Prishtinapress

Ka edhe deputetë të PDK-së që do ta mbështesin mocionin e mosbesimit për qeverinë Mustafa

Partitë opozitare tash e sa kohë nuk janë të kënaqur me qeverisjen aktuale të koalicionit qeverisë LDK-PDK.

Dhe për këtë ata javën e ardhshme do të fillojnë një iniciativë të mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kështu konfirmon në një prononcim për Telegrafin, deputeti i “Nisma për Kosovën”, Enver Hoti.

Ai tha se janë të bindur që do të kenë sukses në këtë iniciativë të ndërmarr nga kjo parti.

Sipas tij, kjo iniciativë për ta dërguar Qeverinë në shtëpi po bëhet pikërisht në kohën e duhur.

“Ne jemi të bindur që do të kemi sukses kështu që iniciativa jonë për të dërguar qeverinë në mocion është në kohën e duhur dhe më të përshtatshme. Qeveria është në kohën e fundit të qeverisjes së saj. I kemi të gjitha kushtet dhe parametrat”, ka thënë Hoti.

Në pyetjen e bërë nga Telegrafi, se a i kanë numrat e duhur për të votuar këtë mocion ai tha: “E kemi kërkuar votën dhe jemi në koordinim të ngushtë me disa nga deputetët e pozitës. Do ta kemi përkrahjen e plotë nga ta. Jemi non stop në kontakt me deputet të pozitës që janë të pakënaqur dhe kundër qeverisë aktuale në vend”.

Edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Iniciativa për mocionin e votëbesimit të qeverisë e ka përkrahjen e tij.

Sipas tij, kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi e Isa Mustafa në pension për shkak të dështimeve të shumta që e kanë bllokuar shtetin e Kosovës.

“Iniciuesit e këtij mocioni duhet të jenë të kujdesshëm që të kenë votën e sigurt sepse proceduralsiht nëse kjo dështon duhen 90 ditë pastaj për të nisur një iniciativë të re mocioni. E mire do ishte që pozitë opozitë të merren vesh që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme më marrëveshje që të zhbllokohen shumë procese të domosdoshme për shtetin siç janë: zhvillimi ekonomik, demarkacioni, ushtria etj”, tha ndër të tjera deputeti Buja.

Ndërsa, analistët vlerësojnë se opozita duhet t’i kenë numrat për të nisur këtë iniciativë përndryshe dështojnë në mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë.

Ramush Tahiri, ka thënë se është e drejtë e opozitës me Kushtetutë dhe të drejtë ligjore që të nisin një iniciativë të tillë me mocion kundër qeverisë.

Sipas tij, kur të arrihen kushtet që të plotësohen numri i duhur i deputetëve që është me rregullore atëherë qeveria hyn në votëbesim.

“Numri i deputetëve për të votuar këtë mosbesim është 61 deputetë për të rrëzuar qeverinë. Atëherë vendi do të shkoj në zgjedhje në afat prej 45 ditëve”, ka thënë Tahiri.

Gjithashtu ai tha se opozita nuk i ka numrat dhe opozita llogarit në numrat e deputetëve të pozitës, ku votimi do të jetë I fshehtë. “Pa votat e PDK-së nuk mund ta rrëzoj qeverinë”.

Edhe njohësi i kësaj fushe Dardan Gashi, ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje me deputetët e pozitës atëherë kjo iniciativë do të dështoj.

“Qëllimi është se a i kanë numrat e nevojshëm si opozitë për ta rrëzuar këtë qeveri? 40 deputetë i duhen opozitës që të nisin këtë iniciativë. Nëse nuk janë koordinuar me deputetë të pozitës atëherë dështon iniciativa”, u shpreh Gashi në një prononcim për Telegrafin.

Ndërkaq, përkrahës të kësaj iniciative janë edhe partitë tjera opozitare AAK dhe LVV.

Exit mobile version