Site icon Prishtinapress

Judah: Hoti, në raport me Vuçiqin, është xhuxh politik

Nëse akuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vërtetohet dhe ai jep dorëheqje, ashtu si ka paralajmëruar, dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të dobësohet. Kështu të paktën ka vlerësuar gazetari britanik dhe eksperti për Ballkan, Tim Judah, që ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Sipas Judah, nëse Thaçi jep dorëheqje, palët nuk do të kenë negociues me forcë të njëjtë. Judah ka vlerësuar se është pak e besueshme që takimi i anuluar i Uashingtonit në fund të mbahet për shkak të situatës së paqartë lidhur me Thaçin dhe pasi zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen.

Judah beson që akuza ndaj Hashim Thaçit për krime të luftës, do të konfirmohet.

“Mendoj se do të konfirmohet, pasi në të punohet për 20 vjet. Mendoj se prokurori as që do të kishte ngritur aktakuzë po të mos ishte goxha i sigurt që ajo do të konfirmohet. Dhe jo vetëm kjo, mendoj se ka mjaftueshëm dëshmi edhe për të fituar në gjykatë”.

Zëri i Amerikës: A do të jetë dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës ndryshe nëse Thaçi nuk do të jetë negociatori kryesor i Kosovës?

Judah: Mendoj se dialogu do të dobësohet, pasi është e nevojshme që dy palët të jenë njëjtë të fuqishme. Zotëri Vuçiq, që kohë më parë konfirmoi forcën politike, aktualisht nuk ka partner të barabartë me të cilin mund të bisedojë. Supozoj që zotëri Thaçi nuk do të udhëheq dialogun, por nuk do të jetë kredibile që zotëri Vuçiq të negociojë me zotëri Hotin, kryeministrin. Duhet që dy palët të kenë njerëz të rangut dhe statusit të njëjtë.

Zëri i Amerikës: Marrë gjithë këto parasysh, a pritni ndonjë përparim të rëndësishëm në takimin në Paris në mes të korrikut?

Judah: Nuk e di se në cilin format mund të ndodhë kjo. Nuk është e çartë se çfarë përkrahje do të ketë në Evropë zotëri Thaçi, me përjashtim të kryeministrit shqiptar. Nëse kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do të duan të shihen me të, që t’ia zgjasin dorën? Nëse nuk do të mund të shkojë në Paris, atëherë kemi problem. E keni zotëri Vuçiqin dhe, pa dashur të fyej zotëri Hotin, ai në krahasim me Vuçiqin është xhuxh politik. Mendoj se ky problem nuk është zgjidhur ende as në Paris, as në Berlin, Prishtinë apo Beograd.

Exit mobile version