10.2 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Joseph i përgjigjet Grenellit rreth deklaratës se në Uashington diskutuan marrëveshjen me bazë ndarjen e Kosovës

Analisti amerikan, profesori universitar Edward Joseph, ka nxitur reagime brenda dhe jashtë Kosovës, pasi në një intervistë për VOA, ndër të tjera tha se në Uashington po diskutohet edhe ndarja e Kosovës.

“Qëllimi i vërtetë i Grenell, Vuçiqit dhe Thaçit ishte të arrihet marrëveshja. Dhe unë besoj se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje apo të ngjashme për të cilën ishin dakorduar gjatë mandatit të Mogherinit. Dhe kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, që dikur quhej shkëmbimi i territoreve, por në thelb bëhet fjalë për ndarje sepse nuk e dimë se sa territor të Serbisë do të përfitonte Kosova. Sipas të gjitha gjasave diçka minimale”, ka thënë Joseph.

Për këtë, fillimisht reagoi i Dërguari Special i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke i quajtur të pavërteta pretendimet e Joseph.

Grenell ka thënë se në prezencë të tij asnjëherë nuk është diskutuar për ndarjen e Kosovës.

Ndër të tjera Grenell thotë se Joseph po tregohet i pamatur me të tilla deklarata.

Edhe presidenti Thaçi, reagoi ndaj deklaratës së profesorit amerikan.

Thaçi, deklaratën e tij e ka quajtur të trilluar, duke thënë se, si munden analistët të krijojnë mendime të tilla të cilat nuk do ta ndihmojnë procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi krijojnë planet e tyre të trillimeve (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t’ua atribuojnë atyre që janë duke u përpjekur të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk do të ndihmojë këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

E përkundër reagimeve, Joseph ka vazhduar të mbrojë qëndrimin e tij duke thënë se bazuar në të kaluarën, marrëveshjet e Ballkanit të bazuara në të drejta kanë funksionuar, teksa ato të bazuara në territore nuk kanë funksionuar, duke marrë shembull marrëveshjen e Dejtonit, shkruan Telegrafi.

“Kjo është ajo që kemi mësuar. Marrëveshjet e Ballkanit të bazuara në të drejta, si ajo e Prespës dhe Ohrit, funksionojnë ; ato të bazuara në territore si e Dejtonit, nuk funksionojnë. Kosova dhe Serbia mund ta kenë një marrëveshje që funksionon. Krejt çka duhet është lidership”, ka shkruar ai.

Ndryshe, ditë më parë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar takim në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi ishte zhvilluar në kuadër të përpjekjes për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi në konferencën për medie, duke folur për marrëveshjen mes dyja vendeve, ka thënë se do të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe me miratimin në Kuvend.

Sipas tij askush nuk duhet të ketë frikë nga prezenca në tavolinën e bisedimeve, derisa në këtë tavolinë do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve. Kjo është një punë nacionale askush nuk ka nevojë t’i frikësohet prezencës në tavolinë, derisa aty e pranishme është SHBA-ja. Nuk duhet të frikësohet askush, aq më pak kur dihet saktësisht se do të jetë kjo një marrëveshje që bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Thaçi në konferencë.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles