Site icon Prishtinapress

Johnson kërkon heqjen e ndalesës kufitare nga marrëveshja për Brexit

Kryeministri britanik, Boris Johnson i ka thënë Bashkimit Evropian se plani për të krijuar ndalesë në kufirin irlandez, duhet të pezullohet, pasi është “i paarritshëm” dhe “jodemokratik”.

Në një letër të nisur drejt presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Johnson ka thënë se ndalesa që synon të parandalojë krijimin e një kufiri të ashpër mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, rrezikon dëmtimin e procesit të paqes në atë zonë.

Nëse ky plan largohet nga diskutimi, ai ka pretenduar se marrëveshja për Brexit do të miratohet në Parlament.

Brukseli në anën tjetër nuk është përgjigjur ende.

Megjithatë, BE-ja ka insistuar vazhdimisht se ndalesa duhet të jetë pjesë e marrëveshjes dhe nuk mund të ndryshohet.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar në orët e vona të së hënës në mes të kryeministrit britanik dhe kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ky i fundit ka përsëritur se marrëveshja nuk mund të diskutohet më dhe se ndalesa nuk ndryshohet.

Kjo ndalesë, që është pjesë e marrëveshjes së arritur në mes të zyrtarëve evropianë dhe ish-kryeministres britanike, Theresa May, e cila është refuzuar tri herë të Parlamentin Britanik, është politikë që parandalon krijimin e një kufiri të ashpër në Irlandën Veriore.

Nëse fillon së zbatuari, ajo parasheh që Irlanda Veriore të mbetet e lidhur përmes disa rregulloreve me tregun e BE-së.

Në letrën e tij, Johnson e ka konsideruar këtë marrëveshje “në kundërshtim me sovranitetin e Britanisë” dhe ka insistuar se nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes për largim.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se marrëveshja në kushtet aktuale “dobëson balancin e ndjeshëm” të dokumentit të ashtuquajtur, Marrëveshja e të Premtes së Mirë.

Kjo marrëveshje është arritur më 1998, për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

Kryeministri britanik ka bërë thirrje për “zgjidhje fleksibile dhe kreative” si dhe “marrëveshje alternative, të cilat të bazuara në teknologji do të anashkalojnë kufirin e ashpër”.

Laburistët opozitarë në anën tjetër kanë thënë se Johnson më parë ka votuar për planin e kryeministres May, përfshirë ndalesën.

Exit mobile version