16 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Jo të gjithë zyrtarët me aktakuza i lirojnë postet e tyre

Në Qeverinë e Kosovës kanë filluar të vërehen efektet e para të vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për largim nga detyra të të gjithë anëtarëve të kësaj partie politike, që mbajnë poste publike, por njëkohësisht janë të akuzuar nën dyshime për korrupsion dhe nepotizëm.

Zyrtari i parë që ka konfirmuar largimin nga Qeveria pas vendimit të Veselit, ishte zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Por, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se po pret një shkresë zyrtare nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli, për lirimin nga detyra të zëvendësministrit Çeku.

Çeku akuzohet për rastin e njohur në opinion si “Veteranët” për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si kryesues i Komisionit për verifikim të veteranëve.

Kurse, të enjten dorëheqjen kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dorëzuar ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj. Ai në një konferencë për media, ka thënë se vepra penale për të cilën është duke u gjykuar nuk ka elemente të veprës së korrupsionit.

Besim Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës.

“Ju siguroj të gjithëve se kjo sfidë do të kalohet shumë shpejtë dhe e vërteta do të dalë e pakontestueshme”, ka thënë ai.

Për rastin e Beqajt, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se ka liruar nga detyra ish-ministrin e tij.

Por, kryeministri Haradinaj, nuk ka siguruar se do të ndërmarr një veprim të ngjashëm edhe për ministrat tjerë në Qeverinë e Kosovës që kanë aktakuza apo zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që janë pjesë e ekzekutivit, parti të cilën e drejton vet Haradinaj.

“Çdo parti i ka specifikat e veta, arsyet, kalkulimet e veta pse merr vendime. Unë nuk komentoj vendime të kryetarëve të partive politike. Pra, ne nuk ndërlidhim asnjë veprim të brendshëm më veprimin e dikujt tjetër. Secila parti politike gjykon, kalkulon, vendos në mënyrën e vet”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

“Pra, nuk kam të drejtë të komentojnë vendimet e kryetarit Veselit, është partner politik. Sa herë që ai është i kënaqur me ministrat e vet, u shpreh falënderim, por nëse dëshiron t’i ndërrojë, i ndërron. Kjo vlen edhe për partitë tjera, kush do që është partner politik i ndërron”, tha Haradinaj.

Ministri i Forcës se Sigurisë Rrustem Berisha dhe ai i Infrastrukturës Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se tashmë u mbetet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe subjekteve tjera të koalicionit qeverisës që të reflektojnë në këtë drejtim.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës për largimin e zyrtarëve me aktakuza nga pozitat publike është i mirëseardhur, por i vonuar.

Sipas tij, është obligim i çdo qeverie edhe kryetarëve të partive që të sigurojnë që në strukturat partiake dhe pozitat publike të mos ketë persona të cilët kanë probleme me ligjin, respektivisht me ata që kanë të bëjnë me vepra penale korruptive.

“Me vetë faktin se në qeverinë aktuale kemi një numër të madh të ministrave dhe zëvendësministrave të cilët kanë problem me ligjin, që janë të akuzuar për vepra penale korruptive apo krimit të organizuar, sigurisht që tani është topi tek kryeministri Ramush Haradinaj, tek kryetari i Nismës Social Demokrate (Fatmir Limaj), tek kryetari i Aleancës Kosova e Re (Behxhet Pacolli) në mënyrë që të sigurohen të gjithë personat politik të emëruar nga këto pari, e të cilët janë nën aktakuza, të largohen nga detyra në mënyrë që të kemi një qeveri dhe institucione publike që bazohen në zbatim të ligjit dhe në qeverisje të mirë”, tha Miftaraj.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës për të larguar nga pozitat zyrtare, politikanët e kësaj partie, që janë të akuzuar nën dyshime për korrupsion dhe nepotizëm.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter ajo ka thënë se “pret që ky standard të aplikohet nga të gjitha partitë politike në Kosovë”.

Ndryshe, nga gjithsejtë 22 ministra sa ka Qeveria Haradinaj, gjashtë prej tyre janë me aktakuza. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, posedim të armëve dhe punësime të paligjshme janë disa nga aktakuzat që rëndojnë mbi këta ministra.

Përveç zyrtarëve qeveritarë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, është vërtetuar se janë më shumë se 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë lëndë të hapura në prokurori dhe gjykata për vepra të ndryshme penale.

Për dallim nga ministrat dhe postet tjera qeveritare, deputetët janë të zgjedhurit e popullit, kështu që ata nuk obligohen ta dorëzojnë mandatin me kërkesën e partisë, por një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm mbi bazën e vullnetit të tyre apo në raste tjera kur mandati u pushon për shkak të vendimit të prerë të gjykatës për një rast të caktuar.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles