Sot me rastin e 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka kujtuar dhe nderuar të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë. Të cilët shkruajtën historinë e përjetshme, ku veprat dhe heroizmi i tyre unik vulosi të ardhmen e Kosovës.
“Sot Kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjtë çlirimtare të Komandantit Legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar.
Kujtojmë e nderojmë sakrificën e invalidëve të UÇK-së e viktimat civile të luftës sonë çlirimtare.Sot po ashtu falënderojmë shtetet demokratike, mike të Kosovës për përkrahjen dhe ndihmën e dhënë në rrugën tonë të çlirimit nga okupatori serb”, tha Jashari.
I pari i komunës, tha se 21 vite pas, fatkeqësisht ende jemi larg jetësimit të amanetit të heronjëve, dëshmorëve e luftëtarëve të Lirisë, për të pasur një shtet të qëndrueshëm, shoqëri të zhvilluar e mirëqenie sociale për të gjithë. Për të pasur një Kosovë të zhvilluar, ku mbizotëron rendi e ligji, arsimi cilësor, një rini e shëndoshë e të punësuar, një ekonomi të qëndrueshme e mirëqenie sociale për të gjithë, duhet të jemi të bashkuar, duke vënë në rend të parë interesin tonë shtetëror.
Edhe sot, Kryetari Jashari bëri kërkesë që kryersit e krimeve gjatë luftës në Kosovë, të dalin para drejtësisë për gjenocidin e bërë si dhe të dihet fati i të zhdukurve tonë në luftën e fundit çlirimtare.
Komuna e Skenderajt, këtë vit shënimin e 18 qershorit- Ditës së Çlirimit të komunës sonë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia do të shënoj më ndryshe se vitet e kaluara.
Ditën e Çlirimit të Skenderajt, do të nis me nderime tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Skenderaj, për të vazhduar më pas me homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz dhe tek Kompleksi i Dëshmorëve në Marinë.
Për këtë datë historike do të mbahet Seancë Solemne të Kuvendit Komunal, në nderim të të rënëve për Liri.
Në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin dhe sakrificën sublime, në këtë datë historike, Kryetari Jashari, do t’i vizitoj familjet e dëshmorëve dhe do t’iu ndajë mirënjohje.
“Të dashur qytetarë, urime 21 vjetori i Çlirimit të Kosovës. Lavdi të përjetshme të pavdekshmëve të rënë për Liri”, ka shkruar Jashari.