Site icon Prishtinapress

Italia vazhdon të përkrahë Kosovën në rrugën e saj integruese në BE

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka priti në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando. Fillimisht, ministri Reka i shprehu ngushëllime Ambasadorit Orlando për viktimat e fundit nga Coronavirusi në Itali dhe i shprehi përkrahje morale për këto ditë të vështira nëpër të cilat është duke kaluar Italia nga kjo sëmundje.

“Më tej, në takim u bisedua për procesin integrues të Kosovës në BE.

Siç rekomandoi ministri Reka është e pakuptueshme që edhe më tutje qytetarët e Kosovës të mbahen të të mbyllur si në një ishull të Shengenit, pa pasur mundësinë për të qarkulluar lirshëm dhe pa regjim të vizave në Evropë.

Gjithashtu, Reka kërkoi që të jetë zëri i Kosovës edhe tek pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën sepse siç tha, është e pakuptueshme që një organizatë multilaterale siç është BE-ja të ndërmerr vendime unilaterale. Kjo çështje është ngritur sidomos për arsyen se e dëmton jo vetëm procesin integrues por edhe në përgjithësi procesin e njohjeve të tjera ndërkombëtare të Kosovës. Ministri Reka kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen e Italisë edhe në procesin e përgjithshëm integrues, përfshirë këtu edhe çështjen e përgatitjes për aplikim të Kosovës për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Ambasadori Orlando njoftoi ministrin  për masat e gjera të marra të tashmë në Itali për të penguar përhapjen e Coronavirusit, duke përfshirë kontrollin dhe identifikimin e plotë të disa zonave potencialisht të prekura dhe të individëve, pezullimin e tubimeve publike dhe forcimin e monitorimit mjekësor të kufirit në pikat e kalimit.

Ambasadori Orlando konfirmoi mbështetjen e Italisë për aspiratën e integrimit evropian të Kosovës. Ai rikonfirmoi rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe partneritetin e Italisë për përparimin e mëtutjeshëm të Kosovës në Agjendën Evropiane të Reformës.

Exit mobile version