Ismaili, Osmanit: Po më bën me dyshu që je e lajthitur, ose po promovon shkeljen e ligjit

0
15

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili gjatë seancës së sotme iu drejtua kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, duke i thënë se referimi i të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me donacionet e ardhura vazhdimisht nga Serbia është duke e bërë atë të dyshoj se është e lajthitur ose po e promovon shkeljen e ligjit.

Ish-ministri i Shëndetësisë tha se Osmani do të duhej të verifikonte të vërtetën e atyre donacioneve para se të përdorte ato të dhëna.

“Kryetare iu referove diçkaje që po më shtin me dyshu nëse je e lajthitur, ose je duke e promovu shkeljen e ligjit, me sa di je juriste. Nëse po mendon se faktet që i ke, nga stafi civil i cili të ka ardh janë për ty të mjaftueshme për mos me verifikuar të vërtetën por me proklamuar atë në ngritje të një argumenti politik, konsideroj se je në shteg të gabuar”, tha Ismaili.

Ismaili tha se donacionet që kanë ardhur më herët në Kosovë, kanë ardhur në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovë, në bazë të komisioneve që i kanë paraparë ligjet e Kosovës dhe janë ndjekur të gjitha procedurat.

“Testet të cilat kanë ardh, kanë ardh në ‘gepek’, jo në bagazh, se nuk kanë ardh nga Shqipëria, por në ‘gepek’, sepse kanë ardh nga Serbia, me Gjuriqin, pa asnjë institucion të Republikës së Kosovës, i kanë qu në institut kontrabandë dhe nuk i ka përdorë Instituti. Kjo është realiteti i testeve. Mos e manifestoni shkeljen e ligjit, me amnisti gjysmë të vërtetë, sepse kështu po e pamundësoni hetimin e drejt”, tha Ismaili.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot ka bërë të ditur para deputetëve të Kosovës se Ministria e Shëndetësisë nga viti 2016 nga shteti i Serbisë ka pranuar si donacion në vlerë dhjetëra miliona euro, barna, pajisje mjekësore dhe material medicinal.

Osmani bëri të ditur se ka pranuar një letër nga stafi civil i MSH-së në cilësinë e kryetares së Kuvendit, prej nga ka ardhur edhe kjo informatë.