Site icon Prishtinapress

Ismaili: Interesi financiar nuk mund të vihet mbi shëndetin publik të qytetarëve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka shkruar në lidhje me rastin e sotëm ku Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona të dyshuar për trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Pesë të dyshuarit janë arrestuar si të dyshuar për këto vepra penale: “Transplantim i  kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore”; “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”; “Bashkëkryerja”.

Ministri Ismaili duke treguar se Inspektoriati Shëndetësor dhe Drejtoria e Policisë për Hetime dhe Trafikim me Qenie njerëzore kanë inspektuar klinikën private ku janë gjetur shkelje, është shprehur se interesi financiar nuk mund të vihet mbi shëndetin publik të qytetarëve tanë.

Ismaili po ashtu ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për bashkëpunim në zbulimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve joligjore.

Ky është postimi i plotë i tij:

“Inspektorati Shëndetësor në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetime dhe Trafikim me Qenie njerëzore ka bërë të martën një inspektim në një klinikë private në Prishtinë dhe ka gjetur disa shkelje të legjislacionit në fuqi për Frytnimin e Asistuar Mjekësor. Si rezultat, Inspektorati Shëndetësor i ka ndëprerë veprimtarinë shëndetësore të frytnimit të asistuar mjekësor klinikës në fjalë. Interesi financiar nuk mund të vihet mbi shëndetin publik të qytetarëve tanë. Falënderim i veçantë për Policinë e Kosovës për bashkëpunimin në zbulimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve joligjore. #BashkëeNdreqim”, ka shkruar Ismaili.

Vlen të theksohet se sipas raportit të policisë, hetimet rreth këtij rasti kanë filluar disa muaj më parë dhe janë zhvilluar në bashkëpunim dhe koordimin me Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë.

Operacioni policor është mbështetur edhe nga institucionet tjera si: inspektorët shëndetësorë nga MSH, inspektorët farmaceutikë, zyrtarë nga administrata tatimore dhe njësitet tjera policore.

Si prova materiale janë sekuestruar dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona mobilë dhe 500 euro para të gatshme dhe me vendim të Inspektoriatit Shëndetësor është mbyllur reparti.

Exit mobile version