Site icon Prishtinapress

Ish-kryeshefi i AKPPM-së mohon se keqpërdori detyrën, e quan absurd konstatimin se insulinat kushtuan mbi 650 mijë euro

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka mohuar në tërësi aktakuzën që e ngarkon me keqpërdorim detyre.

Në këtë rast, së bashku me Dushin po akuzohen edhe ish-zyrtarët e tjerë të AKPPM-së, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda.

Katër të akuzuarit po dyshohen se duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kompania “Asgeto” të pajisej me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPPM-ja, e që sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave arrinte shumën 655,841,05 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Dushi, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Nikë Shala, ka thënë se lidhur me këtë çështje penale kishte dhënë deklaratë në polici dhe në prokurori, por ka thënë se ato deklarata nuk kishin të bëjnë me rastin në fjalë sepse ishte diskutuar për banderola të kaltra, e jo për banderolat e kuqe, që ishin objekt i akuzës.

Ai ka thënë se nuk kishte pasur marrëveshje me të akuzuarit tjerë për arritjen e dobisë pasurore me qëllim që t’i mundësohet kompanisë “Asgeto” lëshimin e banderolave të kuqe, ngase sipas tij, kishte qenë e pamundur sepse këto banderola nuk ishin subjekt i AKPPM-së.

Sipas tij, banderolat e kuqe i shpërndanë Ministria e Shëndetësisë (MSH), pasi këto banderola nuk shtypet, për dallim nga banderolat e kaltra, të cilat siç ka thënë ai, shtypen.

Ai ka shtuar se kur ishin lidhur kontratat për insulina dhe kur ishte lëshuar leja e importit me 24 maj 2011, ai nuk kishte qenë i punësuar në AKPPM, e as në ndonjë institucion tjetër.

Pasi inspektori Basri Rexha, në deklaratën e tij të dhënë në gjykatë kishte përmendur një e-mail dhe se kishte pasur ndikime të ky dëshmitar, i akuzuari Dushi ka thënë se kishte qenë e pamundur të ushtrohet ndikim ndaj tij, ngase sipas Dushit, ekzistonte kryeshefi dhe kryeinspektori, përmes të cilëve kalon komunikimi, raporton betimiperdrejtesi.

Ai ka deklaruar se tërheqjen e insulinave në tërë territorin e Republikës së Kosovës e kishte kërkuar AKPPM-ja, kurse insulinat për rastin në fjalë, sipas tij, i kishte kërkuar MSH-ja.

Ndërsa, hyrja e insulinës në territorin e Republikës së Kosovës ai ka thënë se kishte qenë në kompetencë të Doganës së Kosovës dhe sipas tij, asnjëherë nuk kishte ndodhur që të lëshohet licenca për leje import pa dokumentacion të kompletuar.

Pas raportimit të rastit, ai ka shtuar se kishin kërkuar mbylljen e operatorit ekonomik “Asgeto”, dhe se pas një kohe edhe inspektorati kishte ndërmarrë masa, ku sipas tij, ekzistonte raporti se ky operator ekonomik ishte dënuar me gjobë 10.000 euro.

Në lidhje me importimin e 1.000 paketimeve me insulina në vlerë prej mbi 650 mijë euro, për të cilat po pretendohet në aktakuzë, i akuzuari ka thënë se ky pretendim i organit të akuzës, për vlerën e këtyre insulinave ishte absurd.

“Një paketim insulinë kushton 3 euro ose p.sh mund të kushtojë 6 apo 10 euro, nëse e shumëzojmë me 1.000, nuk na jep shumën prej mbi 655 mijë euro, siç ceket në aktakuzë, kjo është absurde”, ka thënë i akuzuari Dushi.

Ai ka shpjeguar edhe dallimin mes banderolave të kuqe dhe të kaltra, ku sipas tij, banderolat e kaltra përmbajnë emrin e produktit, dozën, formën farmaceutike, numrin serik dhe numrin rendor të banderolës, ndërsa banderolat e kuqe nuk përmbanin asnjë nga këto informacione dhe shpërndahen nga MSH-ja falas.

Sipas Dushit, nëse banderolat kishin qenë të dedikuara për treg privat, atëherë i kishte lëshuar AKPPM-ja, ndërsa nëse kishin qenë të dedikuara për institucionet shëndetësore publike, atëherë sipas tij, këto banderola i kishte lëshuar MSH-ja, duke shtuar se AKPPM-ja nuk kishte lëshuar banderola të kuqe për kompaninë “Asgeto”.

Ai ka thënë se në rastet kur banderolat nuk përputhen me licencën, nuk lëshohen banderola të kaltra, ndërsa sipas tij, kompania “Asgeto”, kishte importuar insulinë me një numër tjetër serik, me atë që kishte pasur në licencë.

“Përgjegjësi e imja nuk ka qenë të jem në dijeni se me çfarë banderola mbulohen këto insulina, por nëse është fjala për numrin serik të atyre 1.000 kutive si në aktakuzë, atëherë ato mbulohen me banderola të kuqe”, ka thënë i akuzuari Dushi.

Ai ka shtuar se nuk kishte qenë kompetencë e AKPPM-së dhe as detyrim që të kontrollojë hyrjen e barnave me numër serik përkatës sipas licencës dhe se kjo përgjegjësi sipas tij, i kishte takuar Doganës së Kosovës.

“Deri në muajin korrik-gusht 2013, ne nuk kemi pasur asnjë lloj përgjegjësie apo qasje në kontrollin e produkteve medicinale që janë importuar”, ka thënë ai, i cili ka shtuar se ai nuk kishte pasur asnjë kompetencë brenda MSH-së.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 5 shkurt 2020, në ora 09:00, ku pritet të japin mbrojtjen edhe tre të akuzuarit e tjerë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, pas kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nga ana e mbrojtësve, e kishte hudhur poshtë aktakuzën në këtë rast.

Këtë e kishte bërë, pasi sipas aktvendimit të shkallës së parë, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Por, Gjykata e Apelit, e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe kishte vendosur që të vazhdohet me shqyrtim kryesor.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuar ishte edhe menaxheri i kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, mirëpo për të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 31 korrik të vitit 2015, me të cilën e akuzon Ilir Dushin, se në cilësinë e krye shefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Haki Ejupi si drejtor i Departamentit dhe Arian Zeneli dhe Gylten Kurda si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Ata akuzohen se në marrëveshje paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja. Por, sipas aktakuzës, kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër krejt tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Sipas kësaj, Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda akuzohen se kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

Aktakuza e ngarkonte edhe menaxherin e kompanisë “Asgeto”, Milot Cena, i cili akuzohet se më 2 nëntor 2012, kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, nga neni 266 paragrafi 2 i KPRK-së.

Exit mobile version