Site icon Prishtinapress

Isa Mustafa publikon emrat e pesë zëvendësministrave të propozuar nga LDK-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka dhënë sot emrat e zëvendësministrave nga radhët e kësaj partie në Qeverinë Kurti.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook thekson se emrat e zëvendësministrave ia ka dorëzuar edhe kryeministrit Kurti.

Këta janë zëvendësministrat nga LDK-ja: Agim Krasniqi- zëvendësministër i Financave dhe Transfereve; Xhavit Rexhaj –zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Fatbardha Emini- zëvendësministre e Administrimit të Pushtetit Lokal; Ismet Beqiri -zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Florian Dushi-zëvendësministër i Drejtësisë.

Lexoni të plotë postimin e Mustafës në Facebook:

“Të nderuar qytetarë,

Pas trajtimit në Kryesi, të çështjes së zëvendësministrave, ia kam ofruar Kryeministrit Kurti këto kuadra të LDK-së për zëvendësministra:

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave dhe Transfereve. Ekonomist. Ka punuar një kohë të gjatë si drejtor i Departamentit të Buxhetit, ka qenë Zëvendësministër i Financave dhe Ministër në Detyrë i Financave. Anëtar i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së.

Xhavit Rexhaj – zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Profesor. Ka udhëhequr grupin e ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për hartimin e programit të arsimit të LDK. Ka mbaruar studime Master në Varshavë e në Oxford në fushën e studimeve britanike, në Prishtinë e në Zagreb në fushën e letërsisë angleze dhe pedagogjisë, studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktorale në Universitetin e Nju Jorkut dhe të Los Angelosit. Ka mbaruar specializim në fushën e reformave të arsimit të lartë në Budapest. Ka qenë drejtor i departamentit të arsimit në Ministrinë e Arsimit. Është profesor në Kolegjin AAB.

Fatbardha Emini, Zëvendësministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Juriste. Anëtare e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Vitisë, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrit dhe tani drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit. Ka kryer studimet Master. Anëtare e KP të LDK-së.

Ismet Beqiri, Zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jurist. Ka qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, drejtor i Kompanisë publike Sport-marketingu, deputet i Kuvendit në disa mandate. Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, tani nënkryetar i LDK-së.

Florian Dushi, Zëvendësministër i Drejtësisë. Jurist. Ka qenë Sekretar Permanent i Ministrisë së Drejtësisë, Zëvendësministër i Drejtësisë, anëtar i KQZ-së. Ka ushtruat detyrën e Avokatit. Anëtar i Kryesisë s LDK-së.

Kandidatet dhe kandidatët tjerë do të caktohen në ditët në vijim”.

Exit mobile version