Site icon Prishtinapress

Interpol: Janë paraqitur fletarreste për tre ndihmës të Sheshelit

Interpoli i ka paraqitur tri fletarreste të prioritetit të lartë për tre ndihmës të politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, të cilët janë të akuzuar për kërcënime kundër dëshmitarëve, ka njoftuar sot Tribunali i Hagës për krime të luftës.

“Petar Jojiq, Jovo Ostojiq dhe Vjerica Radeta, janë akuzuar për mospërfillje të gjykatës, pasi janë të dyshuar se i kanë keqtrajtuar, kërcënuar, kanë ofruar mito, ose ndryshe, kanë ndërhyrë ndaj dy dëshmitarëve në gjykatë kundër Vojisllav Sheshelit dhe për mospërfillje të ndërlidhur me rastin kundër tij”, ka njoftuar sot Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Gjykata në Hagë i është drejtuar Interpolit, pasi Serbia nuk ishte bashkëpunuese në ekzekutimin e arrestimit për këta tre persona, që kërkohen prej vitit 2015.

Vojisllav Sheshel i ka kaluar 11 vjet në burg, derisa vazhdonte procesi kundër tij në Gjykatën e Hagës, për akuza për pastrim etnik gjatë fushatave brutale paramilitare në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, gjatë luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta.

Sheshel, 62 vjeçar, është kthyer në Serbi në vitin 2015, për trajtim nga sëmundja e kancerit, derisa pritej vendimi në gjykatë.

Ai ishte liruar në vitin 2016 lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, në pritje të apelit, dhe është kthyer në Serbi për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale më 2 prill.

Partia Radikale e tij i ka 23 deputetë në Kuvendin e Serbisë.

Exit mobile version