Site icon Prishtinapress

‘Integrimi’ përmes rrogave pa punuar kurrë i ish-pjestarëve të ‘Mbrojtjes Civile’

Hiç më pak se 97 mijë e 733 euro u shpenzuan në rroga për zyrtarët serbë, ish-pjesëtar të “Mbrojtjes Civile”, të cilët përkundër se nuk punonin, paguheshin.

Integrimi i tyre erdhi si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për shuarjen e strukturave paralele.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) thotë se Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione.

Përmes këtij vendimi, obligohen Ministritë dhe Agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Kjo erdhi si rezultat nga marrëveshja e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L-199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë,

Auditori evidentoi se 22 zyrtarë serbë janë paguar mbi 97 mijë euro pa u lajmëruar fare në punë.

“Në MSh pas një procesi të rekrutimit me aktemërime ishin integruar 22 nëpunës të komunitetit serb ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës ku ishin përcaktuar me aktemërime, siç i obligon Ligji i punës Nr. 03/L-212 dhe kontrata e punës, përderisa Ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në shumë të plotë. Vlera e paguar për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 22 zyrtarë ishte 97,733.00€. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë nëpunësit publik do të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës”, konstaton ZKA.

Pagesa e punonjësve në mungesë të dëshmive të vijueshmërisë në punë Auditori thekson në raport se e dëmton buxhetin e Ministrisë së Shëndtësisë, dhe rrit rrezikun e pagesave të parregullta.

Siç theksohet tutje në raportin e ZKA-së, ministrit i është rekomanduar t’i ndërmerr veprimet ligjore për të zgjidhur problemin qoftë edhe në nivel Qeverie.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve duke bërë monitorimin e vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda ministrisë, kjo duhet të diskutohet në nivel të Qeverisë dhe të nxirren vendimet e duhura”, rekomandon Auditori.

Përmes letër konfirmimit të Ministrisë së MSh-së, konfirmohet se e ka pranuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2018-të.

Me anë të kësaj letre, Ministria pajtohet më këto të gjetura duke mos komentuar ato.

“Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk kamë ndonjë koment për përmbajtjen e raportit”, thuhet në mes tjerash në letrën konfirmuese.

Exit mobile version